Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, i është përgjigjur ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas deklaratës së kësaj të fundit se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të bashkëqeverisë me PDK-në.
Në një postim në Facebook, Gruda ka thënë se PDK nuk ka kërkuar asnjëherë të jetë pjesë e një koalicioni me Vetëvendosjen, duke e cilësuar deklaratën e Haxhiut si “paksa deluzionale”.
“Albulenë, po ta heq një barrë mendimesh: PDK nuk ka kërkuar asnjëherë të qeverisë me ju. Prandaj, të refuzosh diçka që nuk ka qenë kurrë opsion, në rastin më të mirë është paksa deluzionale.”, ka shkruar Gruda.
Ai shton se ajo që PDK kërkon nga Vetëvendosje është vetëm përballja me argumente në debat publik.
Me ju kërkojmë vetëm debat. Jemi larg, shumë larg. Jo vetëm në pozicion politik dhe ideologjik, por edhe në mënyrën se si e përjetojmë Kosovën, si e kuptojmë qeverisjen dhe si i ndërtojmë aleancat.”, vijon më tej reagimi i deputetit.