Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë (KQM) i PDK-së, Përparim Gruda, ka kërkuar që të përkrahet iniciativa e kryeministrit te Shqipërisë, Edi Rama për mbrojtjen e liderëve të UÇK-së të cilët gjenden në paraburgim në Hagë.
“Kushdo ka te drejtë të ketë vlerësimin e tij për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin si politikan. Mund të mos pajtohet, dhe po ashtu, mund të bëjë prapë luftë politike kundër tyre kur ata të jenë të lirë, sepse fundja lufta e tyre ishte për këtë: për lirinë dhe mendimin e lirë. Por, askush nuk duhet të jetë indiferent e të mos i ndihmoj, e aq me pak t’i dëmtoj ata, në rrugën vështirë që kanë përpara për t’i dëshmuar botës pastërtinë e luftës tonë dhe me këtë për të mbrojtur kombin dhe shtetin tonë”, ka shkruar Gruda në Facebook.
Postimi i plotë:
Ajo që po bënë Edi Rama dhe Shqipëria për të mbrojtur luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duhet të ketë përkrahjen e të gjithëve. Sepse historia e UÇK-së është historia e kombit dhe shtetit tonë.
Një komb dhe shtet pa histori është një komb pa të ardhme. Gjykimi ndaj UÇK-së në Hagë ka pikërisht këtë synim, të na lë pa histori dhe për pasoj dhe pa të ardhme.
Ne nuk guxojmë t’i kthejmë shpinën të kaluarës tonë. Ne nuk guxojmë të jemi injorant e aq më pak indiferent ndaj kësaj të kaluare, sepse e kaluar jonë nuk tregon vetëm kush jemi e nga vijim, por edhe nga do shkojmë dhe kush do të jemi.
Çdo kombi i duhet një ndjenjë e së kaluarës në mënyrë që të mund të ketë një vlerësim më të mirë për të tashmen dhe të ardhmen e tij.
Kushdo ka te drejtë të ketë vlerësimin e tij për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin si politikan. Mund të mos pajtohet, dhe po ashtu, mund të bëjë prapë luftë politike kundër tyre kur ata të jenë të lirë, sepse fundja lufta e tyre ishte për këtë: për lirinë dhe mendimin e lirë. Por, askush nuk duhet të jetë indiferent e të mos i ndihmoj, e aq me pak t’i dëmtoj ata, në rrugën vështirë që kanë përpara për t’i dëshmuar botës pastërtinë e luftës tonë dhe me këtë për të mbrojtur kombin dhe shtetin tonë.
Në Hagë, kombi shqiptar ka një betejë të madhe që me patjetër duhet ta fitoj, para çdo beteje të brendshme politike. Pa e fituar betejën e Hagës, betejat e brendshme politike nuk kanë asnjë vlerë, janë lojë me vetveten.
Fitorja në Hagë është farkëtim i identitetit dhe dinjitetit tonë kombëtar. Rezultatet tona në zhvillim ekonomik dhe demokraci nuk do t’i duhen askujt pa fitoren e Hagës.