Një polemikë mes juristit dhe deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Grudës dhe opinionistit Dibran Hoxha ka ngjarë në “Pressing” të T7, kur ky i fundit i rikujtoi fjalët e tij të para-fushatës se Albin Kurti nuk është edhe aq politikan i zoti dhe s’ia ka dalë të imponojë vullnetin e vet arbitrat.
Gruda i replikoi se Kurti në fakt “i ka blerë” zgjedhjet, kur ka përdorur buxhetin e shtetit vazhdimisht në kohëra fushatash duke dhënë shtesa prej qindra miliona eurosh për kategori të ndryshme shoqërore.
“Ky njeri që e përdor pushtetin m’i ble zgjedhjet, kjo është qyqarllëk ndaj vendit tënd. Sepse për vendin tan kur je pushtetar e ke edhe një borxh: me ia bë atij vendi zgjedhjet e lira. Jo me ia vjedh zgjedhjet vendit tënd. Kush ia vjedh zgjedhjet vendit të vet për me marrë pushtet, atij nder dhe respekt si politikan i zot s’duhet m’i dhanë kurrë. S’duhet me marrë kurrë. Mund të thoni çka doni. Por ju mos e bëni. Qysh ‘Kurti politikan i zoti’. Ju po e pranoni që i ka ble zgjedhjet, Kurti s’e ka respektu Gjykatën, e Kurti i zoti”, tha Gruda.
Hoxha ia ktheu se po ia ndërron cilësorët, se “nuk kam thënë ‘i zoti’, por siç keni thënë ju ‘i fortë dhe i dobët’. Dhe i ‘i fortë e dobët’ në terma elektoral matet në rezultat elektoral”.






