U hap konkursi, fitoi kandidatja Arta Birinxhiku, bashkëshortja e Drejtorit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Ylli Buleshkaj. Konkursi u anulua për parregullsi. U hap prapë, prapë fitoi Arta Birinxhiku, bashkëshortja e Drejtorit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Ylli Buleshkaj.
Në procesin e rekrutimit për pozitën e Zyrtarit për Auditim të Brendshëm në ndërmarrjen publike “Ibër-Lepenci”, i cili ishte anuluar fillimisht për shkak të parregullsive të shumta – kandidatja që është vlerësuar me pikë më së shumti në fazën e intevistimit është – përsëri – Arta Birinxhiku, bashkëshortja e Drejtorit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Ylli Buleshkaj.
Albanian Post kishte raportuar më 20 korrik në lidhje me parregullsitë në këtë proces, e për rrjedhojë konkursi ishte anuluar.
Ndërsa, në ripërsërije të këtij konkursi, në procesverbalin nga intervistimi për pozitën në fjalë, që e ka siguruar – përsëri – Albanian Post, Birinxhiku është renditur – përsëri – e para me 77 pikë nga 90 të mundshme.
Pas raportimit të parë të Albanian Post për parregullsitë procesit, Buleshkaj e kishte dërguar mediumin në Këshillin i Mediave të Shkruara të Kosovës, lëndë që Albanian Post e pati fituar dhe ankesa e Buleshkajt nuk ishte miratuar.
KMSHK-ja thoshte në vendim se “ankesa nuk miratohet”, pasi artikullin e AP-së e validonte edhe vetë fakti se konkursi u anulua për parregullsitë e raportuara.
Buleshkaj, njihet në opinionin publik si person i afërt me partinë që ka pushtetin, Lëvizjen Vetëvendosje.
Afërsia e tij me VV-në kishte rënë në sy pas disa veprimeve brenda Komisionit Qendror Zgjedhor, kur kryeministrit të tanishëm Albin Kurtit dhe zyrtarëve të tjerë të partisë së tij nuk u lejohej kandidimi në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, pasi që Gjykata Kushtetuese kishte marrë vendim se askush nuk mund të kandidonte për deputet në rast se ka dënim të formës së prerë nga gjykata tri vitet e fundit.
Por, përkundër kësaj, Buleshkaj, atë kohë si drejtor ekzekutiv i Zyrës për Regjistrimin e Partive dhe Certifikim në kuadër të KQZ-së, i rekomandonte këtij institucioni që t’i certifikojë të gjithë kandidatët për deputetë, të cilët ishin në kuadër të listave zgjedhore të subjekteve politike në zgjedhjet e 14 shkurtit, edhe pas vendimit të Kushtetueses.
Me të fituar zgjedhjet dhe me të marrë pushtetin, Lëvizja Vetëvendosje, Buleshkajn e “shpërbleu” me një pozitë tjetër, atë të drejtorit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.
Këtë pozitë, ai do ta merrte pak muaj pasi VV-ja të vinte në pushtet. Në dhjetor të 2021-së, deputetët e VV-së do të votonin pro Buleshkajt.
Pothuajse tri vite më pas, gruaja e tij është duke tentuar që të marrë – në mënyrë të paligjshme – një pozitë të rëndësishme në Ibër-Lepenc.
Lidhur me parregullsitë që ishin shoqëruar në konkursin e parë për këtë pozitë, kishte raportuar iniciativa “CorrWatch”, e themeluar nga konsorciumi i organizatave të shoqërisë civile i përberë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP).
Nga kjo iniciativë, që financohet – ndër të tjera – nga ambasada e Britanisë së Madhe, kanë konsideruar se procesi i rekrutimit për pozitën e Zyrtar/e për Auditim të Brendshëm, përkatësisht faza e verifikimit paraprak, ishte karakterizuar me shkelje, dhe si pasojë e njëjta duhet rishqyrtuar.
Gjatë monitorimit të fazës së verifikimit paraprak për këtë proces rekrutimi, CorrËatch kishte identifikuar shkelje.
Më konkretisht, ata kanë njoftuar se komisioni ka përfshirë në listën e ngushtë dhe ka ftuar për intervistë një kandidate që nuk ka përmbushur kriteret e përcaktuara në shpallje, veçanërisht ato që lidhen me përvojën e punës.
Gjatë verifikimit paraprak, bëjnë me dije se kjo kandidate nuk kishte dokumentet që mbështesnin përvojën e saj të punës dhe të njëjtat i ka dorëzuar pas afatit të paraparë në konkurs.
Në reagimin e tyre theksohet se kjo praktikë është diskriminuese ndaj kandidatëve të tjerë dhe bie ndesh me rregullat e konkursit, të cilat përcaktojnë qartë se “kandidatët me dokumentacion të pakompletuar, të paplotësuar, jo të duhur dhe jashtë afatit të konkurrimit do të refuzohen”.
“CorrWatch” ka bërë me dije se ka ngritur këto shqetësime tek komisioni vlerësues dhe ka rekomanduar rishqyrtimin e procesit për shkak të shkeljeve ligjore të identifikuara, mirëpo rekomandimi nuk është adresuar.
“CorrWatch” i ka bërë thirrje institucionit në fjalë që të reflektojë mbi këtë proces, dhe rrjedhimisht, ta rishikojnë këtë fazë të procesit.
Vetë zotëri Buleshkaj e ka mohuar se është gruaja e tij kandidatja problematike.
Ka thënë se bëhet fjalë për një nga kandidatet tjera, edhe pse në listën për kandidatët fitues, zonja që përmend Buleshkaj është në pozitën e katërt.
“F.J., s’i ka plotësuar kushtet, jo gruaja ime. Këto mundeni me i verifiku me CorrWatch (GLPS/Ambasadën e Britanisë)”, ka thënë ai.
Ky nuk është rasti i vetëm kur në mënyrë jo të rregullt persona të caktuar që kanë mbështetjen e pushtetin tentojnë që të marrin pozita në institucionet publike.
Më 11 korrik, Albanian Post kishte raportuar se si një person me emrin Xheladin Krasniqi, ka avancuar në katër pozita të ndryshme brenda Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në një afat që përfshinë më pak se 48 orë dhe po e kërkonte të pestën.