Ish-kandidatja për deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, Sanije Rexha i ka reaguar ministres në detyrë të Punëve të Jashtme, Donika Gërvallës, rreth një deklarate të bërë së fundmi në emisionin “Pressing”.
Sipas saj, Gërvalla me një ton të pashpjegueshëm mbrojtës, i kushtoi më shumë kujdes Gani Gecit, sesa siç tha Rexha, të vërtetës historike dhe moralit të drejtë.
“Dalja e znj. Donika Gërvalla në emisionin “Pressing” në T7 ishte zhgënjyese për çdo qytetar që ka kujtesë të qartë për luftën çlirimtare dhe për sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës. Me një ton të pashpjegueshëm mbrojtës, znj. Gërvalla i kushtoi më shumë kujdes figurës monstrume të Gani Gecit, sesa të vërtetës historike dhe moralit të drejtë. Është fakt i dokumentuar dhe i njohur publikisht se gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, komandanti Abedin Rexha – i njohur ndryshe si Sandokani – u vra në një pritë tinëzare nga Gani Geci, vëllai i tij Fadil Geci dhe pjesëtarë të tjerë të një grupi që me të drejtë është cilësuar si bandë kriminale. Abedin Rexha ishte komandant i Brigadës 112 të UÇK-së dhe një prej figurave më të shquara të qëndresës në Drenicë. Vrasja e tij nuk ishte pasojë e ndonjë përplasjeje mes dy palëve, por një atentat i paramenduar ndaj një luftëtari të lirisë – nga individë që asnjëherë nuk e kanë pranuar UÇK-në si përfaqësuese legjitime të rezistencës kombëtare”, ka shkruar ish-kandidatja e VV-së për deputete në llogarinë e saj në Facebook.
Tutje, Rexha thotë se në vend që Gërvalla të shprehte keqardhje për këtë ngjarje, ministrja në detyrë zgjodhi, siç thotë ajo, të pozicionohet përkrah figurave tërësisht të diskredituara, si moralisht ashtu edhe politikisht.
“Në vend që të shprehte të paktën keqardhje për këtë ngjarje tragjike, znj. Gërvalla zgjodhi të pozicionohet përkrah figurave tërësisht të diskredituara, si moralisht ashtu edhe politikisht. Kjo nuk është thjesht një lëshim politik – është një fyerje për historinë tonë dhe për gjakun e dëshmorëve. Zonjë Gërvalla, ky qëndrim është i papranueshëm. Është një turp përballë së vërtetës dhe kujtesës kolektive të popullit tonë”, ka përfunduar Rexha, njofton Klankosova.tv.
*Klikoni