Bashkëshortja e ish-ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani, i arrestuar në Maqedoninë e Veriut në bazë të një fletarresti serb, kërkon angazhim nga Qeveria e Kosovës për lirimin e tij duke e cilësuar ndalimin të padrejtë dhe me akuza të fabrikuara nga shteti serb.
Para një jave, më 17 korrik, Blerim Ramadani, ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), është arrestuar nga Policia e Maqedonisë së Veriut në bazë të një fletarresti të lëshuar nga Serbia.
Bashkëshortja e tij, Valbona Ramadani, ka theksuar se ndalimi i tij është i padrejtë dhe në akuza të fabrikuara nga Serbia, dhe ka kërkuar lirimin e tij.
“Po kemi kontaktuar, mirë është, si shëndeti po ashtu edhe trajtimi. Siç e dini, paraburgimi i është caktuar masa 30 ditë. Ky ndalim është i padrejtë dhe në akuza të fabrikuara nga shteti serb, që pritet nga ta por jo nga shteti mik i Kosovës. Ne kuptojmë që kjo listë është me Interpol, ka qenë edhe më herët, por qeveritë tjera e kanë pasivizuar dhe kanë lëvizur veteranët e luftës lirshëm. Ndalimi është i padrejtë dhe ai duhet të lirohet menjëherë,” ka thënë Ramadani në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin FIVE.