Zonja e Parë e Turqisë, Emine Erdogan, i është drejtuar me një letër Zonjës së Parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Melania Trump, duke i thënë se uron që ndjeshmërinë që tregoi ndaj fëmijëve jetimë në Ukrainë, ta tregojë edhe më fuqishëm për ata në Gazë, shkruan Anadolu Agency.

Në letrën e saj, Erdogan theksoi se megjithëse kanë kaluar gjashtë vjet nga takimi i tyre në Shtëpinë e Bardhë në Washington, biseda e përzemërt dhe mikpritja elegante e Melania Trump-it ende ruan freskinë në kujtesën e saj.

Emine Erdogan tha se gjatë darkës kokë më kokë dhe gjatë shëtitjes në kopsht, ndau përshtypjen se Melania Trump kishte një ndërgjegje të ndjeshme ndaj çështjeve aktuale, gjë që u reflektua në komentet e saj. Ajo shtoi se këtë ndjeshmëri morale e kishte vënë re edhe në letrën që Melania Trump i kishte dërguar së fundmi Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Emine Erdogan shprehu se ajo i konsideron fjalët e shkruara nga Melania Trump në letrën e saj si një përkthim të ndjenjave të përbashkëta njerëzore dhe e vlerëson me respekt këtë qëndrim të çmuar.

“Ashtu siç e keni theksuar edhe ju në letrën tuaj, e drejta e fëmijëve për të u rritur në një mjedis të dashur dhe të sigurt është një e drejtë universale dhe e padiskutueshme. Kjo e drejtë nuk është privilegj i ndonjë rajoni, race, identiteti etnik, grupi fetar apo ideologjie. Prandaj, të qëndrosh në krah të të shtypurve që u mohohet kjo e drejtë është, para së gjithash, një përgjegjësi e madhe ndaj familjes njerëzore. Në këtë kuadër, veçanërisht si bashkëshorte e një lideri, ndjeshmëria që keni treguar ndaj jetëve të shkatërruara, familjeve të shpërbëra dhe fëmijëve të mbetur jetimë për shkak të pasojave shkatërruese të luftës në Ukrainë, është një nismë që mbjell shpresë në zemrat tona. Kërkesa juaj për rikthimin e buzëqeshjes së gëzueshme të fëmijëve ukrainas, të detyruar të qeshin në heshtje, është shumë domethënëse.

Besoj se këtë ndjeshmëri të rëndësishme që e keni treguar për 648 fëmijët ukrainas që kanë humbur jetën në luftë, do ta tregoni edhe më fuqishëm për Gazën, ku në dy vitet e fundit janë vrarë mizorisht 62 mijë civilë të pafajshëm, prej të cilëve 18 mijë janë fëmijë”, thuhet në letër.