Një biznes turistik në kryeqytetin e Groenlandës, Nuuk, ka anuluar vizitën e Usha Vance, bashkëshortes së zv/presidentit amerikan JD Vance.
Sipas mediave, thuhet se vizita është anuluar pasi dyshohet për një agjendë të fshehtë nga administrata e Trumpit.
Fillimisht, vizita e Usha Vance ishte paraqitur si një udhëtim familjar për të shijuar kulturën lokale dhe për të marrë pjesë në garën tradicionale të slitave me qen, të quajtur Avannaata Qimussersu. Megjithatë, situata ndryshoi kur u mësua se ajo do të shoqërohej nga këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Mike Waltz, duke shkaktuar zemërim te liderët lokalë, përfshirë kryeministrin e Groenlandës.
Gjendja u përkeqësua edhe më shumë kur JD Vance njoftoi se ai gjithashtu do t’i bashkohej gruas së tij në këtë udhëtim, duke thënë se nuk dëshironte të humbiste “gjithë këtë argëtim”. Pas kësaj, dyqani i suvenireve Tupilak Travel, ku Usha Vance kishte planifikuar të ndalonte, refuzoi pritjen e saj.
“Fillimisht, i thamë se ishte e mirëpritur, por pas shqyrtimit të mëtejshëm vendosëm të anulojmë vizitën. Nuk mund të pranojmë këtë agjendë të fshehtë dhe nuk duam të bëhemi pjesë e një shfaqjeje mediatike. Jo faleminderit. Groenlanda u përket groenlandezëve”, njoftoi dyqani në Facebook.