Edhe pse nuk e fitoi titullin e kampionit të Kazakistanit me Astanan, ish-futbollisti i Ballkanit, Nazmi Gripshi ka fituar një çmim të rëndësishëm në fund të sezonit.
Gripshi është shpallur golashënuesi më i mirë i kampionatit, duke e fituar “Këpucën e Artë”, pasi sezonin e mbylli me 16 gola të realizuar.
Krahas kësaj, Gripshi ishte i dyti edhe në listën e asistuesëve më të mirë në Premier Ligë, me 7 sosh, duke konfirmuar veten si njëri prej lojtarëve më të dalluar të kampionatit kazak.
Astana në xhiron e fundit barazoi 1:1 në udhëtim te Kairati për ta humbur titullin e kampionit, pasi i duhej vetëm fitorja për t’u shpallur kampion.
28-vjeçari në verën e vitit 2024 iu bashkua Astanas pas katër sezoneve te Ballkani i Suharekës, ekip me të cilin fitoi tre tituj kampioni, një kupë dhe një Superkupë të Kosovës.
Në fillim të këtij muaji, Gripshi për herë të parë u ftua nga Kombëtarja e Shqipërisë, ku debutoi në fitoren 4:2 në miqësoren ndaj Jordanisë.






