Partia konservatore greke Demokracia e Re ka fituar bindshëm një mandat tjetër katërvjeçar në zgjedhjet e mbajtura të dielën, tregojnë rezultatet zyrtare.
Ndërsa janë numëruar 90% e votave, partia e Kryeministrit Kyriakos Mitsotakis e qendrës së djathtë ka marrë mbi 40 për qind të votave, sipas të dhënave të ministrisë së brendshme.
Me 90% të votave të numëruara, zoti Mitsotakis ka gjasa të marrë 157 ose 158 vende në parlamentin prej 300 anëtarësh, sipas të dhënave zyrtare.
Zgjedhjet e së dielës u zhvilluan nën hijen e mbytjes së një anijeje emigrantësh me 14 qershor në jug të Greqisë, në të cilën qindra njerëz dyshohet se kanë humbur jetën. Një nga fatkeqësitë më të rënda ndër vite, ka nxjerrë në pah ndarjet e thella politike mbi migracionin.
Partia Demokracia e Re e zotit Mitsotakis fitoi zgjedhjet e 21 majit përballë partisë së majtë Syriza që qeverisi Greqinë nga viti 2015 deri në vitin 2019. Por ajo nuk mori votat e duhura për të qeverisur e vetme.