Ka pasur spekulime e deklarata në rrjete sociale se ish-emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell paguhet nga Beogradi. Te Intervista e Buzhalës, ai ka demantuar një gjë të tillë, duke thënë se s’ndihet rehat as kur duhet t’i rrëzojë këtë pretendime. Çka tjetër tha ai.
Ish-emisari Grenell ishte i ftuar në një intervistë me gazetarin Berat Buzhala, ku u pyet edhe rreth spekulimeve se ai paguhet nga Beogradi.
“Po, e kam parë këtë më parë. Qesharake. Kurrë nuk kam marrë të holla prej tyre. Nuk ndihem rehat as kur më duhet që ta rrëzoj këtë.” – tha ai duke folur për këtë çështje.
Grenell shtoi se “jetojmë në një botë ku ka thashetheme” dhe tha se ka pranuar nderet më të mëdha nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë, derisa pati një pyetje.
“ Por e kuptoj. Jetojmë në një botë ku ka thashetheme dhe duhet t’i rrëzoni ato. Më lejoni të them diçka për këtë thashetheme të neveritshme në veçanti. Ajo futet në zemrën e secilit person që mundohet për të zgjidhur probleme e që duhet të merret me të, që është: “Ti je i njëanshëm, ti je dikush që është i tmerrshëm në anën tjetër” dhe kjo dhemb, sepse unë jam shumë krenar për faktin që mendoj se jam qenia e vetme njerëzore që ka jetuar ndonjëherë në Tokë e që i ka pranuar nderet më të mëdha nga Qeveria e Kosovës dhe nga Qeveria e Serbisë. A njihni ndokënd që i ka pranuar të dy shpërblimet më të larta nga të dy qeveritë?” – u shpreh ish-diplomati amerikan.
“A do të ishte vështirë për Shtetet e Bashkuara që një zyrtar amerikan të merrte para nga qeveritë e huaja dhe, pastaj, të shpresojë që të jetë përsëri pjesë e qeverisë amerikane? A nuk filtrohet kjo?” – e pyeti Buzhala.