18.6 C
New York
Sunday, October 19, 2025

Buy now

Gratë rome, ashkalinje e egjiptiane, më pak të informuara për kancerin e gjirit

- Advertisement -
Ganimete Arifi, nënë e pesë fëmijëve nga Fushë Kosova, nuk i kishte kushtuar shumë vëmendje një nyje të vogël që kishte vënë re në gjirin e majtë.

Për javë me radhë e mbajti për vete, duke mos i thënë askujt. Por, dhimbja që iu shfaq papritur në gjoks dhe në dorë, e shtyu të fliste me bashkëshortin dhe të kërkonte ndihmë.

“Vetëm atëherë kam shkuar te mjeku. M’i kanë bërë analizat dhe më kanë thënë se ke një lloj tumori”, kujton Ganimetja – pjesëtare e komunitetit ashkali – për Radion Evropa e Lirë.

Lajmi e tronditi. “Mendjen e kisha vetëm te fëmijët. Qaja pa u ndalur”, thotë 44-vjeçarja, ndërsa në fytyrë i lexohet ende tronditja e asaj kohe – edhe pse kanë kaluar katër vjet.

Rekomandimi i mjekëve për të hequr gjirin kishte qenë sa i padëgjuar, aq edhe i frikshëm për të.

Disa ditë më vonë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) iu nënshtrua operacionit.

Frika nga e panjohura e kishte shoqëruar gjatë gjithë procesit të trajtimit, e më vonë edhe gjatë kontrolleve dhe takimeve me mjekë.

Sot, ajo është e shëndetshme. Vazhdon vizitat e rregullta te mjeku dhe ndan përvojën e saj me gratë e tjera në lagje, duke i inkurajuar të mos e neglizhojnë as shenjën më të vogël.

“U them gjithmonë: shkoni te mjeku, mos prisni”, tregon Ganimetja.

Sfidat e informacionit shëndetësor te komunitetet

Për shumë gra nga komuniteti i saj, por edhe rome e egjiptiane, historia e Ganimetes nuk është e rrallë.

Informimi i pamjaftueshëm, mungesa e fushatave të vetëdijesimit dhe barrierat ekonomike dhe kulturore e bëjnë qasjen te diagnostikimi i hershëm të vështirë.

Violeta Pirana, udhëheqëse e shoqatës “Renesansa”, e cila ofron mbështetje dhe burime për gratë që përballen me sfidat e kancerit të gjirit, tregon se gratë nga këto komunitete shpesh mbeten të izoluara nga fushatat shëndetësore.

E, të tilla ka shumë sidomos gjatë tetorit, që njihet si muaji i vetëdijesimit për kancerin në gji.

“Institucionet kompetente duhet të jenë më pranë këtyre komuniteteve”, thotë Pirana. “Më dhimbsen, nuk e kanë kujdesin e duhur”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Arnisa Osmani nga shoqata “Have Hope Kosova”, e cila punon për të përmirësuar mirëqenien e grave të prekura nga kanceri në gji, thekson se mungesa e mbështetjes financiare dhe bashkëpunimi institucional pengojnë ndjeshëm shpërndarjen e informacionit dhe të ndihmës.

“Komunitetet shpesh mbeten pas dore në fushatat vetëdijesuese, për arsye financiare dhe mungesë transparence nga institucionet. Kur kemi pasur mundësi, kemi shpërndarë proteza dhe materiale informuese falas, por nevoja është shumë më e madhe”, thotë Osmani.

Sipas saj, bashkëpunimi mes të gjitha institucioneve dhe organizatave është thelbësor për t’u qëndruar pranë grave që përballen me sëmundjen dhe për t’u ofruar mbështetjen që u mungon.

Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) thonë për Radion Evropa e Lirë se aktivitetet edukative-shëndetësore zhvillohen gjatë gjithë vitit për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe komunitetet joshumicë.

Por, pranojnë se barrierat sociale dhe kulturore, si mungesa e informacionit në gjuhën amtare dhe niveli i ulët i shkrim-leximit, shpesh pengojnë pjesëmarrjen e plotë.

Vetëm gjatë periudhës janar-qershor 2025, IKSHPK-ja thotë se ka organizuar 15 sesione informuese për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, me 205 pjesëmarrës, në temat e kancerit, tuberkulozit, rëndësisë së vaksinimit dhe parandalimit të sëmundjeve kronike.

“Në raport me popullatën shumicë, ky numër i pjesëmarrjes së komuniteteve nuk është i kënaqshëm, prandaj, duke pasur parasysh edhe barrierat në qasje dhe specifikat e pjesëmarrjes, IKSHPK-ja, në bashkëpunim me Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike dhe në koordinim me Kujdesin Parësor Shëndetësor, në vazhdimësi organizon sesione të veçanta informuese për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, me fokus të veçantë gratë dhe fëmijët”, thuhet në përgjigjen e IKSHPK-së për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, nuk ka të dhëna që tregojnë se mungesa e informacionit ka rritur rastet e kancerit të gjirit te komunitetet rom, ashkali e egjiptian.

Për muajin rozë apo tetorin e këtij viti, aktivitetet përfshijnë sesione edukative dhe mamografi mobile në komunat ku nuk ka pajisje statike, theksojnë nga IKSHPK-ja.

Muaji i vetëdijesimit

Tetori është muaji i vetëdijesimit për kancerin e gjirit – një periudhë kjo për të rritur ndërgjegjësimin, për të nderuar miliona njerëzit e prekur nga kjo sëmundje dhe për të riafirmuar përkushtimin global për qasje të barabartë në kujdes shëndetësor.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kanceri i gjirit është kanceri më i zakonshëm i diagnostikuar te gratë në mbarë botën.

Në vitin 2022, afërsisht 2.3 milionë gra u diagnostikuan, ndërsa 670.000 vdiqën nga sëmundja.

Gjendja në sistemin shëndetësor në Kosovë

Në Kosovë, sipas të dhënave që siguroi Radio Evropa e Lirë nga Klinika e Onkologjisë në QKUK, gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti u regjistruan 330 raste të reja me kancer të gjirit – mes tyre edhe tre burra.

Kjo shifër, sipas drejtuesve të Onkologjisë, është afërsisht e njëjtë në dy-tre vjetët e fundit.

Klinika e Onkologjisë është e vetmja qendër në Kosovë, ku të prekurit me kancer marrin kimioterapi apo trajtime të tjera të nevojshme.

Numri i atyre që kontrollohen apo marrin shërbime aty, arrin deri në rreth 50.000 në vit.

Drejtori i klinikës, Ilir Kurtishi, thotë se pjesa më e madhe e pacientëve tashmë po diagnostikohen në faza më të hershme të sëmundjes.

“Mbi 50% e pacientëve e kanë kancerin në gji në stadin e parë ose të dytë, kurse 46% në stadin e tretë dhe të katërt. Ky është një progres në zbulimin e hershëm, krahasuar me vitet e mëparshme”, thotë Kurtishi.

Kurtishi thekson se kanceri i gjirit mbetet forma më e përhapur dhe më dominante e kancerit në Kosovë dhe shton se diagnostikimi i hershëm është vendimtar për mbijetesën dhe suksesin e trajtimit.

Në këtë rëndësi beson edhe Ganimetja, e cila e ka mposhtur sëmundjen katër vjet më parë, por vazhdon të bëjë kontrolle të rregullta, sipas rekomandimeve të mjekëve.

“Mjeku që më ka operuar, më ka ndihmuar shumë, sepse nuk i kam pasur mundësitë financiare. Jam shumë mirënjohëse për trajtimin që kam marrë”, thotë ajo./REL/

Të ngjashme

Të fundit