Është premtuar gjatë fushatës zgjedhore të programit qeveritar.
Mirëpo që nga përfundimi i konsultave dhe finalizimit të projektligjit për Financa Lokale, ku aty është përfshirë granti i katërt për investime kapitale nëpër komuna,, ende nuk është bërë asgjë në këtë drejtim.
Ky grant, nga Asociacioni i Komunave vlerësohet tejet i rëndësishëm.
“Faza e konsultave publike sa i përket projektligjit për financa lokale është mbaruar në vitin 2022. Ende nuk kemi asnjë risi sa i përket fillimit të amandametimit nëse mendohet të amandamentohet përsëri. Por është me rëndësi jetike për RKS themelimi i grantit të katër sepse të gjitha komunat do të trajtoheshin barabarësish sa i përket investimeve kapitale që vijnë nga Ministritë e Linjës”, tha Sazan Ibrahimi nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.
Ndërsa shuma e cila do të shpërndahej njëjtë nëpër komuna kap shifrën milionëshe.
“Janë në pyetje rreth 100 milionë euro, ku këto mjete financiare në vend që të shkojnë drejtpërdrejtë në të gjitha komunat e RKS, e të cilat do të përfitonin nga këto mjete financiare për investime kapitale, këto së pari shkojnë nëpër Ministri të Linjës, pastaj ato bëhen si donatorë me paranë publike ndaj komunave edhe jo të gjitha komunat trajtohen barabartë”, shprehet ai.
Se ka pasur favorizim të komunave për grante e thonë edhe nga Instituti GAP.
“Ky premtim është jo i përmbushur dhe, siç ka konstatuar Instituti GAP në fund të vitit të kaluar, është hasur në buxhetin e shtetit se qeveria ka favorizuar me projekte kapitale komunat e udhëhequra nga VV, pra mungesa e grantit te katërt hap rrugë për favorizime te tilla”, thuhet nga GAP.
Granti i katërt është premtuar gjatë fushatës zgjedhore dhe ka hyrë edhe në programin e qeverisë 2021-2025.
Qëllimi i këtij granti ka qenë që të parandalohet ose pamundësohet që Ministritë e Linjës të japin para për komuna bazuar në preferenca lokale, partiake apo edhe personale.
Televizioni për këtë çështje ka pyetur edhe një zëdhënës në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, por i njëjti nuk ka pasur mundësi të kthej përgjigje.