Granit Xhaka do të jetë kapiten i skuadrës së Sunderlandit për sezonin e ri në Premier League.
Se shiritin e kapitenit do ta bartë Xhaka, i cili iu bashkua Sunderlandit ditë më parë, e ka konfirmuar edhe trajneri Regis Le Bris.
Mesfushori 32-vjeçar po shihet si përforcim i madh te Sunderlandi, ekip që pagoi 20 milionë euro për transferimin e tij nga Bayer Leverkuseni.
Xhaka, të shtunën debutoi ndaj Real Betisit, ndeshje miqësore që Sunderlandi e humbi 1:0 dhe mesfushori shqiptar ishte kapiten i ekipit.
Paraqitja e Xhakës në këtë ndeshje është vlerësuar fantastike nga trajneri Le Bris, i cili ka pranuar se mesfushori shqiptar do të jetë kapiten.
“Na duhet pjekuri, nivel, qëndrueshmëri, përvojë – ai sjell gjithçka”, ka thënë Le Bris kur është pyetur për paraqitjen e Xhakës.
“Mund ta ndjeni se të tjerët përreth tij, e kanë jetën më të lehtë. Për Premier League është shumë e dobishme të kesh dy, tre lojtarë të tillë. Xhaka sipas të gjitha gjasave do të jetë kapiten, po”.
Xhaka do të jetë kapiteni i dytë shqiptar te Sunderlandi pas Lorik Canës. Ai gjithashtu është edhe kapiten i Kombëtares së Zvicrës.