Granit Xhaka e kaloi një tjetër sezon brilant në nivelin personal.
Ndonëse i munguan sukseset ekipore, për dallim nga edicioni i paharrueshëm 2023/24, ylli kosovar megjithatë ishte motori i Bayer Leverkusenin edhe në edicionin 2024/25.
Për këtë, “Opta” e ka përfshirë përfaqësuesin zviceran në “Ekipin e Vitit”, të cilin e publikoi sot “Livescore”.
Ish-futbollisti i Baselit, Borussia Monchengladbachut e Arsenalit e gjen veten në mesfushë përkrah yjeve si Kimmich e Wirtz në mesfushën me tre, ndërsa përpara tyre gjenden Olise, Kane e Schick.
Mbrojtja përbëhet nga katërshja: Ryerson, Tah, Upamecano e Davies, kurse në portë është vendosur Dahmen.

Xhaka me shokë nuk arritën të fitonin trofe në këtë edicion, por megjithatë bënë paraqitje pozitive nën drejtimin e trajnerit Xabi Alonso, i cili u largua përfundimisht nga Kuqezinjtë dhe pritet që shumë shpejt të zyrtarizohet si trajner i ri i Real Madridit. /