Flaka Loxha është eliminuar nga Grand Slami Tbilisi në Gjeorgji, pasi u mposht nga xhudistja serbe Maria Perisic, derisa Nora Gjakova ka kaluar në çerekfinale.
Loxha i bëri tri gabime të pafalshme që i kushtuan me disfatë në rrethin e tretë dhe si pasojë eliminim nga gara në Gjeorgji, raporton Nacionale.
Ajo u ndëshkua me tre kartonë të verdhë dhe si pasojë e humbi luftën kundër Perisicit në kategorinë -57 kilogramë.
Në këtë kategori, garën megjithatë e vazhdon një kosovare tjetër, kampionia olimpike Nora, e cila e mundi mongolen Ichinkhorloo Munkhtsedev në rrethin e tretë.
Gjakova, 30 vjeçe, në çerekfinale do të përballet me gjermanen Pauline Starke.
Loxha është xhudistja e dytë kosovare që eliminohet nga gara në Gjeorgji pas Erza Muminoviqit më herët në kategorinë -52 kilogramë.
Ndërkohë, afër medaljes është e pandalshmja, kampionia olimpike Distria Krasniqi, që ka arritur tashmë në gjysmëfinale në kategorinë -52 kilogramë.