Ish-zëvendësministri i Financave, Mustafa Grainca, njëherësh anëtar i Partisë Demokratike, ka reaguar pas vendimit të sotëm nga Gjykata Themelore e Ferizajt, i cili obligon kryeparlamentarin Dimal Basha, t’i paguajë dëmshpërblim prej 25 mijë eurosh për shpifje dhe fyerje.
Grainca shprehet se me këtë aktvendim, drejtësia foli duke vërtetuar se Basha ka përdorur aktin më të ulët njerëzor në tentim të përdhosjes e cënimit të dinjitetit të tij, transmeton klankosova.tv.
”Mbi gjysëm dekade pritjeje, për të ngadhnjyer mbi shpifjet e fyerjet!
Sot, me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj u vërtetuar se z. Dimal Basha kishte shpifur e fyer ndaj meje!
Drejtësia foli e me aktvendim vërtetojë se ky njeri, kishte përdorur aktin më të ulët njerëzor, për të më përdhosur e cenuar dinjitetin tim, mbi të cilën fatkeqësisht ngriti vetën politikisht, për të ardhur deri aty sa edhe të bëhet Kryetar i institucionit më të lart të Republikës sonë.
Ky person, tani më i denuar për shpifje e fyerje, kishte marrur edhe guximin për tu bërë bashkë, në korin e njëllosjes së Lavdisë Kombëtare, Ushtria Çlirimtare të Kosovës!
Në aktvendimin e publikuar, shënohet se shpifësi në fjalë, dënohet edhe financiarisht për të më kompenzuar dëmin e shkaktuar, por unë vendosi që këto mjete financiare, në momentin e alokimit, do të ia barti Shoqatave të dalura nga lufta!
Tê mjerë janë ata që ngriten e marrin përgjegjësi institucionale, duke shpifur e duke mashtruar qytetarët e mrekullueshëm të vendit tonë”.