Adem Grabovci, ish-deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka akuzuar partinë e Albin Kurtit, Lëvizjen “Vetëvendosje” për hipokrizi dhe përfshirje në korrupsion masiv.
Ai kujton se dikur ishte cak i sulmeve të shumta nga Vetëvendosje, që e shënjestroi si simbol të kapjes së shtetit ndërsa sot sipas tij, janë pikërisht ata që udhëheqin me aferat më të mëdha korruptive që ka parë ndonjëherë Kosova.
Grabovci tha se përfaqësuesit aktualë të pushtetit, përkundër akuzave të shumta po shpërfillin ligjin dhe po e zhbëjnë besimin qytetar ndaj institucioneve.
“Sot jemi dëshmitarë të gjithë se nga i pari përfaqësues i qeverisë nuk i përgjigjet drejtësisë e i shpërfill ato e mos të flasim për afera jo vetëm të punësimeve, por edhe të aferave tjera korruptive që asnjëherë në historinë e Kosovës nuk ka ndodhur korrupsion më i madh sesa që po ndodh sot para syve tonë. Do ta ndjej veten shumë të fyer nëse dikush më krahason me këta njerëz të korruptuar, inskenues, mashtrues, të pandershëm, e as përfaqësues të qytetarëve”, ka deklaruar Grabovci për “Front Online”.