Zyrtari i lartë Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe njëri nga figurat qendrore të UÇK-së, Adem Grabovci, ka përkujtuar të enjten dëshmorët dhe martirët e Katundit të Ri në Pejë.
Në mesin e të rënëve për liri, Grabovci ka përkujtuar edhe familjarët e tij, Xhafer dhe Miradije Grabovcin, të cilët kishin rënë për të mos vdekur kurrë para 24 vitesh.
Grabovci ka thënë se gjaku i të rënëve “nuk do të na lejoj në asnjë rrethanë të nëpërkëmbët lufta e pastër dhe e drejtë çlirimtare e UÇK-së”.
“Në nderim të 24-vjetorit të rënies në altarin e lirisë të dëshmorëve dhe martirëve në Katund të Ri të Pejës. Në mesin e tyre ishte edhe bashkëpunëtori im dhe i shumë bashkëluftarëve dhe bashkëveprimtarëve në ditët më të vështira të ilegales dhe luftës, familjari im Xhafer Grabovci, me të cilin bashkëvepruam gjatë gjithë angazhimeve deri në rënien e tij. Të shumta ishin torturat nga armiku që përjetoi Xhaferi, shkaku i aktivitetit atdhetar që bënte. Njëkohësisht i përkujtoj edhe motrën, Miradijen, dhe dhëndrrin Bardhin, të vrarë po në këtë ditë, tek të cilët ushqeheshim dhe strehoheshim me shumë bashkëveprimtarë gjatë aktivitetit tonë në shërbim të çlirimit, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Gjaku i të rënëve nuk do të na lejoj në asnjë rrethanë të nëpërkëmbët lufta e pastër dhe e drejtë çlirimtare e UÇK-së. Vlerave të luftës sonë do t’u dalim zot dhe do t‘i mbrojmë. Lavdi të gjithë të rënëve për liri!”, ka shkruar Grabovci në “Facebook”.