Ministrja për Çështje Europiane e Malit të Zi, Maida Gorçeviq, ka thënë se vendi i saj do ta përkrahë anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Europës në Komitetin e Ministrave në maj. Ndërkaq, për votën kundër të deputetes malazeze në votimin e raportit në Paris, ajo thotë se përbën qëndrim partiak dhe jo shtetëror.
“Votimi i disa deputetëve në Asamblenë Parlamentare në Këshillin e Europës nuk do të thotë domosdoshmërisht edhe qëndrimin e Qeverisë. Në këtë rast nuk domethënë qëndrimin e Qeverisë së Malit të Zi. Ajo e ka nxjerrë qëndrimin e partisë së vet”.
Gorçeviq, në një konferencë të përbashkët për media me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi sot në Prishtinë, tha se pushteti aktual në Mal të Zi ka një marrëveshje koalicioni ku ndër të tjera obligohet ta përkrahë Kosovën në rrugën e saj të integrimit europian, raporton Gazeta Express.
“Dua t’ju përkujtoj që Qeveria është me karakter heterogjen…shumica parlamentare kanë nënshkruar marrëveshje koalicioni dhe janë obliguar në disa të drejta. Me këtë marrëveshje nënkuptojmë gjithashtu edhe përkrahjen e Kosovës për pavarësinë e saj dhe sovranitetin si shtet. Dua të nënvizoj se Mali i Zi në Komitetin e Ministrave do ta përkrahë Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Europës dhe në këtë mënyrë padyshim që do t’ia japë përkrahjen Kosovës sa i përket të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me interesin në fushën e integrimeve europiane”, ka thënë ajo.
Për këtë çështje ka folur edhe Bislimi, i cili paraprakisht shprehi pikëpamje të njëjtë sa i përket votës kundër të deputetes malazeze.
“Nuk ka votuar Mali i Zi kundër Kosovës në mbledhjen e Komitetit për Politikë të Jashtme në Këshill të Europës, por një deputete që përfaqëson një subjekt politik, ka shprehur qëndrimin e subjektit politik. Përfaqësimi në Këshillin e Europës është i tillë që duhet të reflektojë edhe përbërjen politike të parlamenteve nacionale. Rrjedhimisht, deputetja Maja Vukiçeviq përfaqëson një parti politike, e cila shkon kundër qëndrimeve të shtetit të Malit të Zi. Nuk është diçka risi edhe ne në Kuvendin e Kosovës kemi subjektet politike, siç janë Lista Srpska që veprojnë dhe punojnë kundër interesave të shtetit të Kosovës. Ajo që është me rëndësi është që vota e zonjës Vukiçeviq nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të Malit të Zi, i cili qëndrim nuk ka ndryshuar që nga data e 9 tetorit e vitit 2008 kur Mali i Zi ka vendosur ta njohë Republikën e Kosovës”.
Për qëndrimin e Serbisë në Paris, Bislimi thotë se s’është befasi. Por, ai tha se Serbia në mënyrë indirekte të mërkurën në Paris i ka kryer një shërbim Kosovës.
“Votimi i Serbisë nuk ka qenë risi për ne, Serbia veçse i ka shkelë pothuajse të gjitha nenet e marrëveshjes bazike, por ndoshta pa qëllim i kanë bërë nder Kosovës me prezencën e tyre sepse kanë ndihmuar në krijimin e kuorumit”.