Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Dukagjin Gorani, tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka pasur asnjëherë seriozisht kauzën e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Sipas Goranit, ky subjekt madje as nuk e kupton se çfarë do të thotë bashkimi kombëtar.
“As nuk e kanë ditë çka është, as që merren vesh çka nënkupton ajo historikisht, as shpirtërisht çka nënkupton, pra ato kanë qenë vetëm, pallavra që thonë ‘hot ait’ që është bisedu në mungesën e përgjegjësisë reale publike”.
“Dallohen njerëzit të cilët së paku historikisht, çka muj me kuptu gjatë këtyre viteve, që dallohen njerëzit që kur flasin për diçka si bashkimi kombëtar e kanë seriozisht dhe dallohen ata që kur flasin për bashkimin kombëtar flasin si bisedë pas darke”, tha Gorani.
Gorani tha se Lëvizja Vetëvendosje ka pasur potencial që të ofrojë zgjidhje për problemet me të cilat përballen qytetarët e vendit, por për shkak të egove personale kanë zgjedhur të mos e bëjnë.
“Vetëvendosje e asaj kohe është udhëheqë nga njerëzit e pangarkuar politikisht dhe historikisht dhe kanë mujt me pasë mundësinë të jenë shumë më racional, shumë më pragmatik në vështrimin e situatës dhe telasheve në shoqërinë tonë”.
“Dhe kanë mujtë me qenë shumë më liberal edhe këto parakushte e kanë ofru, ose kanë mujtë me i përmbushë duke e shndërruar veten kësisoj në një potencial të mirë dhe unë mendoj të dobishëm për skenën politike, ata vendosin me u shndërru në të kundërtën e kësaj për arsyet të cilat unë nuk i kuptoj, mendoj që në të shumtën janë arsye egocentrike, pra arsye krejtësisht personale, nuk ka asgjë parimore”, tha Gorani.