Opinionisti Dukagjin Gorani tha se në politikë përgjegjësia dhe pushteti ecin paralelisht, ndaj nuk është e drejtë që opozitës t’i kërkohet vetëm barra e stabilitetit institucional, përfshirë edhe kompletimin e institucioneve me president.
Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ai shtoi se deklarimet e fundit të kryeministrit Albin Kurti duken si presion ndaj opozitës, duke kërkuar iniciativë prej saj për ta çuar përpara procesin.
“Absurditeti i kësaj situate është që këtu pritet që opozita të marrë përgjegjësi, por jo edhe pushtet. Në politikë, marrja e përgjegjësive shkon barabar me marrjen e pushtetit dhe privilegjeve, nuk mund dikujt me ia lonë veç përgjegjësinë, e për veti veç pushtetit. Partitë opozitare nuk e di qysh ato mendojnë, mirëpo çka po u ofrohet atyre është vetëm marrja e përgjegjësisë, nuk po u ofrohet asgjë tjetër. Pra për mirëmbajtjen e stabilitetit dhe avancimin e jetës institucionale përmes kompletimit të institucioneve me president e krejt, dhe ajo është një lloj i përgjegjësisë”, tha Gorani në Klan Kosova.
Ai po ashtu tha se deklarimet e sotme të kryeministrit pas takimit me kryetarin e LDK-së, ishin gati shantazhuese ndaj opozitës.
“Angazhimi për me ia arrit atë vijueshmëri, atë stabilitet institucional po pritet kryekëput prej opozitës. Deklarimet e sotme të Kurtit, janë gati shantazhuese ndaj opozitës. Por pret iniciativë prej opozitës, dhe po thotë nëse ka iniciative që mundemi me u pajtu edhe na, pra nëse dikush del dhe e çon përpara procesin, atëherë mundemi të diskutojmë, por për çka?”, theksoi Gorani.
Ndiqni deklaratën e plotë në videon e mëposhtme:






