Pas dy viteve mungesë, Lille, është kthyer në kompeticionin më të fortë për klube, pra në Ligë të Kampionëve, dhe kjo krejt për shkak të yllit të Kosovës, Edon Zhegrova.
Lille u përball me Slavia Pragën në play-off për një vend në Ligë të Kampionëve, ku pas rezultat të përgjithshëm 3:2 e siguroi një vend në mesin e 36 skuadrave.
Skuadra franceze fitoi në ndeshjen e parë në shtëpi 2:0, ku Edon Zhegrova pati paraqitje shumë të mirë, ku edhe shënoi gol mjaft të bukur, por në ndeshjen kthyese sot kjo skuadër vuajti shumë.
Slavia e Pragës e kishte tërë ndeshjen në kontroll, duke pasur shumë raste të rrezikshme, teksa edhe goditën shtyllën në dy raste.
Goli i parë i takimit u shënua herët. Ishte Zafeiris që shënoi për 1:0 në minutën e pestë të takimit, i asistuar nga Boril.
Me këtë epërsi minimale u mbyllën 45 minutat e para, teksa pjesa e dytë ishte më e flaktë.
Lille filloi të këndellej e të dilte para, kryesisht me Edon Zhegrovën.
Ylli kosovar e goditi shtyllën fillimisht nga një gjuatje e lirë nga distanca, teksa pak minuta më vonë shënoi gol të jashtëzakonshëm, për të barazuar rezultatin në 1:1.
Slavia e Pragës nuk u dorëzua dhe arriti të shënonte përsëri. Ivan Schranz e gjeti rrjetën në minutën e 84-të, për të kthyer epërsinë e skuadrës së tij në 2:1.
Deri në fund nuk pati ndryshim në rezultat, me Lillen që triumfoi me rezultat të përgjithshëm 3:2, për të siguruar një vend në Ligën e Kampionëve.
Lille kthehet në garën më të fortë për klube pas dy sezoneve mungesë, dhe kjo krejtësisht për shkak të yllit të Kombëtares së Kosovës, që shkëlqeu në fazën kualifikuese me tre gola të shënuar, dy ndaj Slavia Pragës në play-off.