Barcelona ka marrë një lajm shumë të keq pas fitores ndaj Celta Vigos në La Liga, ku sulmuesi kryesor, Robert Lewandowski, pësoi një dëmtim që pritet të ndikojë rëndë në planet e trajnerit Hansi Flick për ndeshjet vendimtare të sezonit.
Testet mjekësore kanë konfirmuar se sulmuesi polak ka pësuar një dëmtim në muskujt semitendinoz të këmbës së majtë.
Sipas raportimeve nga Cadena SER, Lewandowski pritet të mungojë për rreth tre javë, duke e bërë pothuajse të sigurt mungesën e tij në finalen e Kupës së Mbretit ndaj Real Madridit dhe shumë të vështirë rikuperimin në kohë për përballjen e shumëpritur kundër Interit Ligën e Kampionëve.
Ky është një tjetër telash për trajnerin Flick, i cili tashmë po përballet me tensione në dhomat e zhveshjes dhe me pakënaqësi nga disa futbollistë për mungesën e minutave.
Humbja e Lewandowskit – që ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm në fazën ofensive të skuadrës – do të detyrojë Barcelonën të rikonceptojë sulmin në sfidat më të rëndësishme të sezonit.
Në mungesë të tij, pritet që Ferrán Torres të marrë më shumë përgjegjësi në vijën e parë të sulmit.