Më konkretisht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po e ndihmon koalicionin opozitar të shqiptarëve, Lidhjen Evropiane për Ndryshim (LEN), në kurriz të partisë në pushtet, Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoninë e Veriut.
Deri sa lideri i shqiptarëvë për mbi dy dekada, Ali Ahmeti, thotë se shefin e qeverisë së Kosovës e ka vëlla dhe nuk e ruan shpinën nga ai, Kurti ka mbledhur liderët opzitarë shqiptarë për t’i bashkuar kundër BDI-së së tij.
Çka po ndodh?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca kanë pritur në takim liderët e koalicionit opozitar të LEN-it, Izet Mexhitin, Afrim Gashin dhe Billall Kasamin.
Në takim mori pjesë edhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Arben Taravari.
Takimi në kryeytetin kosovar u zhvillua kur të gjithë po presin që ASH të vendosë se se cilit kamp politik do t’i bashkohet në zgjedhje, partisë në pushtet, BDI-së apo koalicionit opozitar LEN-it.
Pra, ky takim në Prishtinë po cilësohet si përpjekje e Kurtit për ta bindur Taravarin që t’i bashkohet opozitës shqiptare.
“Nuk e di, kisha ftesë dhe normalisht që i përgjigjem ftesës së kryeministrit”- tha Arben Taravari, kryetar i ASH-së.
Ndërsa, kreu i Lidhjës Demokratike, Izet Mexhiti tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të merr pjesë në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, deri sa aktivistët e kësaj partie Nga Maqedonia e Veriut do t’i bashkohen koalicionit opozitar.
“Është krijuar dilema. De jure nuk do të merr pjesë Vetëvendosja, sepse nuk është e regjistruar në RMV, mirëpo de fakto në listat e përbashkëta, është evidente që subjektet shqiptare, Lëvizja Demokratike, Lëvizja Besa, Alternativa, Vetëvendosja do të kenë lista të përbashkëta, jemi në takime intensive edhe me z.Taravarin”, tha Mexhiti.
Qeveria
Për takimin me opozitarët shqiptarë të shtetit fqinj, ka njoftuar edhe Zyra e Kryeministrit Kurti.
Në komunikatën e Qeverisë thuhet se në takim diskutuan për krejt diçka tjetër, respektivisht për situatën në rajonin e Ballkanit, për fqinjësinë e mirë dhe perspektivën e partneritetit të rëndësishëm ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
“Temë e diskutimit ishte edhe situata shoqërore e ekonomike e komunitetit shqiptar në Maqedoni, nevoja për demokraci e stabilitet si dhe përmirësim e mbarëvajtje të raporteve mes komuniteteve etnike në atë vend, gjë të për të cilën Kosova vetë është shembull, por edhe e promovon dhe e mbështet”, thuhet ne komunikatën për media.
Tutje, ne komunikatë thuhet se u propozua që presidenti i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut të jetë në frymën e bashkëjetesës etnike.
“Katër udhëheqësit shprehën propozimin e tyre për një president të Maqedonisë së Veriut i cili mishëron bashkëjetesën mes etnive dhe garanton rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, president i cili kësaj radhe duhet të vijë nga mesi i shqiptarëve”, thuhet në komunikatë.
Ali Ahmeti
Dje kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, deri sa po e komentonte zgjedhjen e kryeminsitrit të parë shqiptar të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka folur edhe për raportet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
Ahmeti me dashamirësi tha se Kurti është vëllau i tij dhe se prej tij nuk e ruan shpinën.
“Unë ju kamë vëllezër të gjithëve edhe Albinin e kam vëlla nuk e ruaj shpinën nga askush”, ka thënë Ahmeti./Nacionale/