Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka shkuar në Shkup për të mbështetur kandidatët e koalicionin ‘VLEN’ në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut.
Konjufca është parë duke ecur i shoqëruar nga liderët e VLEN-it – kandidati për president të Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari, lideri i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, kreu i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti dhe ai i Alternativës, Afrim Gashi – në “Çarshinë e Shkupit”.
Konjufca deri më tani është zyrtari më i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje që merr pjesë fizikisht në fushatën në Maqedoni të Veriut, derisa një gjë të tillë ditëve në vijim do ta bëjë edhe kryeministri, njëherit kreu i VV-së, Albin Kurti.
Përveç kësaj ecje të përbashkët nëpër Çair – për të demonstruar kështu mbështetje për VLEN-in – Konjufca do të marrë pjesë edhe në tubimin e këtij koalicioni që do të mbahet në mbrëmje në Likovë, ku do jetë njëri nga folësit.
