10.8 C
New York
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

Glauk Konjufca dhe dy partitë më të mëdha opozitare përmendin zgjedhjet: Çfarë u tha?

- Advertisement -

Debatet në lidhje me Marrëveshjen e Ohrit, kanë sjellë deri në pikën ku nëpër intervista të ndryshme si nga pushteti ashtu edhe nga opozita është përmendur mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve të reja. Krejt kjo pasi që në marrëveshjen me Serbinë përmendet zbatimi i marrëveshjeve të kaluara të nënshkruara, ku përfshihet edhe krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Prandaj, vetë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka lënë të hapur mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja.

Në një emision në Tëvë1, ai ka treguar se kompetencat ekzekutive për Asociacionin do të nënkuptonin ndryshime kushtetuese.

“Kemi marrë garanci të forta që asociacioni do të jetë një lloj forumi. Por, nëse kërkohet që asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive ose të bëhet me ndryshime kushtetues, mendoj që asgjë më nuk ka vlerë dhe vendi duhet të shkoj në zgjedhje.”, ka thënë Konjufca.

Ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ish-kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se darkodimet e Ohrit janë shkelje e premtimeve të kryeministrit Kurti për dialogun.

“Sa i përket dialogut, koalicioni Kurti-Osmani ka hyrë në kontratë me qytetarët e Kosovës më 14 shkurt 2021 me këto kushte: 1. Nuk ka Zajednicë dhe asociacion, siç thoshin “as asi, e as ksi”; 2. Nuk ka dialog pa kërkim falje; 3. Nuk ka dialog pa zbardhjen e fatit të të pagjeturve; 4. Rishikim/vlerësim i të gjitha marrëveshjeve të mëparshme; 5. Dialog vetëm për marrëveshje finale për njohje reciproke; 6. Reciprocitet me Serbinë në çdo gjë, që vendoset brenda javësh pas formimit të Qeverisë; 7. Të njëjtat të drejta për shqiptarët në Luginën e Preshevës sikurse për serbët në Kosovë”, ka shkruar Hoti në profilin e tij në “Facebok”.

Ai ka bërë me dije se qytetarët e Kosovës janë mashtruar dhe për ketë duhet të shkohet në zgjedhje të reja.

“Marrëveshja e Ohrit bie në kundërshtim me të gjitha këto kushte. Njerëzit janë mashtruar. Duhet mandat i ri bazuar në këtë marrëveshje. Duhet të dalin edhe njëherë para qytetarëve me qëndrimet e reja të qeverisë”, ka shkruar Hoti.

Edhe nga Partia Demokratike e Kosovës është thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duhet të përballet me votuesit e tij.

Deputetja e kësaj partie, Ariana Musliu-Shoshi në një intervistë për Gazetën Nacionale ka thënë se Kurti duhet të përballet me votuesit e tij pasi që i ka mashtruar.

“Lëvizja Vetëvendosje ka ardhur në pushtet me premtime konkrete sa i përket dialogut. Na është thënë që Asociacioni assesi s’do të formohet ndërkaq dialogu me Serbinë do të bëhet vetëm pas kërkim-faljes, njohjes, reparacioneve dhe kthimit të të pagjeturve. Asnjë nga këto nuk ka ndodhur. Prandaj, kryeministri Kurti do të ishte mirë që ta kthej mandatin tek qytetarët dhe të përballet me votuesit e tij, të cilët i ka mashtruar. Mirëpo, unë nuk pres që një gjë e tillë të ndodhë, Albin Kurti e ka dëshmuar tanimë që gjithë gënjeshtrat e mashtrimet nder vite i ka bërë vetëm për të ardhur në pushtet.” – ka thënë Musliu-Shoshi.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit