Ndarja e investimeve kapitale në buxhetin e vitit 2023 në Kosovë tregoi se mbi gjysma e tyre i është shpërndarjë tri komunave ku udhëheq Vetëvendosje. Këto tregues u publikuan nga Instituti GAP në Kosovë ku Gjilani, Shtime dhe Kamenica zënë rreth 52% të investimeve. Ky pretendim është hedhur poshtë nga ministri i Financave Murati në një postim, pavarësisht shifrave të publikuara nga ky institut. Ndërkohë ministria e Financave në Kosovë e la pa përgjigje kërkesën zyrtare në lidhje me këtë çështje.
Albulena Mavraj
Qeveria e Kosovës aprovoi Projektligjin për buxhetin e Kosovës për vitin 2023, kurse Kuvendi e miratoi më 17 nëntor 2022. Ky projektbuxhet shkaktoi reagimi në mes të Qeverisë së Kosovës dhe institutit GAP, lidhur me aludimet se buxheti është orientuar në komunat që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje! e cila udhëheq edhe Qeverinë e Kosovës.
“Investimet e reja kapitale të nivelit qendror nëpër komuna favorizojnë komunat e udhëhequra nga Vetëvendosje”, thuhet në një analizë të institutit GAP i cili ka analizuar ndarjet buxhetore për vitin 2023, duke i krahasuar ato me vitin 2022.
Sipas analizës së institutit GAP, rreth 52% e kësaj shume (12 milionë euro) do të orientohet tek tri komunat e udhëhequra nga VV, komuna që mbulojnë 9% të territorit dhe 8% të popullsisë.
Pjesë nga komunikata e GAP
“Nga 51.2 milionë euro investime kapitale të reja të nivelit qendror këtë vit, 22 milionë euro janë destinuar për projekte specifike në komuna. Rreth 52% e kësaj shume (12 milionë euro) do të orientohet tek tri komunat e udhëhequra nga VV, komuna që mbulojnë 9% të territorit dhe 8% të popullsisë. Në Projektbuxhetin 2023 janë buxhetuar 75 milionë euro si kontigjenca për përballimin e krizës potenciale të energjisë. Përkundër asaj se buxheti për shëndetësi dhe arsim pritet të rritet në vitin 2023, prapë se prapë mbetet nën mesataren e BE për shpenzimet në këto fusha si përqindje e Produktit Vendor Bruto (BPV)”, thuhet në komunikatën e GAP-it.
Komunikata e GAP
Por, ministri i Financave Hekuran Murati reagoi duke hedhur poshtë këto pretendime:
“Shumica e buxhetit për projektet e reja kapitale, është shpërndarë proporcionalisht dhe barabartë nëpër të gjitha komunat, përmes grantit qeveritar”. Konstatimi në titull u referohet projekteve që në total bëjnë 12 milionë euro, e që nga 811 milionë euro, sa është buxheti total për investime kapitale i bie më pak se 1.5% shumë larg me 52%-shin bombastik e dezinformues në titull”.
Nëse i referohemi tabelës së publikuar nga GAP në lidhje me ndarjen e investimeve të reja sipas komunave në Kosovë, bie në sy se Gjilani, Shtime dhe Kamenica kanë vërtetë 52 % të invesimeve të parashikuara në buxhetin 2023.
Ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion ministrisë së Financave të Kosovës për të marrë një koment në lidhje me ndarjen buxhetore sipas komunave, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë një përgjigje zyrtare.
Screenshot: Pyetjet e dërguara Ministrisë së Financave
Njohësi i çështjeve ekonomike, Lulzim Beqiri thotw se ndarja buxhetore sa i përket komunave në nivel vendi është diskriminuese dhe kjo sipas tij e thellon hendekun e mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës.
“Sipas ndarjeve buxhetore del se Qeveria e vendit ka favorizuar komunat që udhëhiqen nga partia në pushtet, favorizimi i tillë është diskriminues dhe po përsëritet prapë nga kjo Qeveri, njëlloj si qeveritë e kaluara”, ka thënë Beqiri.
Më tej ai shton:
“Diskriminimi i komunave të tjera e rrit edhe më shumë mosbesimin ndaj institucioneve të shtetit. Duke u bazuar në analizën buxhetore del se tre komunat e udhëhequra nga VV janë shpërblyer vetëm pse janë në një linjë me qeverinë qendrore, prandaj nuk e shoh të arsyeshme një diskriminim të komunave tjera vetëm pse qytetarët kanë votuar ndryshe në zgjedhjet komunale.”
Ai sugjeroi që kjo praktikë të ndalet. “Kjo praktikë duhet të ndalet, sepse është e dëmshme, edhe vetë partia në pushtet ka proklamuar se kur të vijmë në pushtet kemi me bë ndarje të drejtë buxhetore gjë që nuk po ndodh”, ka thënë ai.
*Ky shkrim u publikua si pjesë e nismës “Unë bëj Fact-Checking”, që ka si qëllim të trajnojë dhe mentorojë gazetarë në Kosovë, nën projektin e UNESCO-s “Ndërtimi i besimit në media në Evropën Juglindore dhe Turqisë – Faza II”, mbështetur nga Bashkimi Evropian.