Gjyqtari i vetëm deri më tash i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, ka braktisur Gjykatën Speciale.
Lajmin e ka bërë të ditur Specialja përmes një komunikate për media, ku thuhet se më 5 dhjetor Guillou u zgjodh gjykatës në Gjykatën Penale Ndërkombëtare [GJNP].
Guillou, që shpeshherë i dilte në ndihmë edhe prokurorëve në seanca publike kur nuk arrinin t’i artikulonin mirë pretendimet e tyre, duke ua nënkuptuar opinionet, ishte lënë i vetëm nga kryetarja, Ekaterina Trendafilova, për të shërbyer si gjyqtar i procedurës paraprake.
“Kryetare Trendafilova shtoi se, ndonëse DHSK-ja do të humbasë një gjykatës dhe koleg të çmuar kur gjykatësi Giju të fillojë punën si gjykatës në GJPN, kjo nuk do të ketë ndikim në çështjet gjyqësore para DHSK-së, të cilat do të vazhdojnë të zhvillohen pa ndërprerje”, thuhet në komunikatë.
Komunikata e plotë:
Më 5 dhjetor 2023, gjykatësi Nikola Giju i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) u zgjodh gjykatës në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN). Gjykatësi Giju u emërua gjykatës në DHSK më 7 shkurt 2017 dhe ka kryer funksionin e Gjykatësit të Procedurës Paraprake çështjet gjyqësore të z. Hysni Gucati dhe z. Nasim Haradinaj, të z. Salih Mustafa, të z. Hashim Thaçi dhe të bashkakuzuarve, të z. Pjetër Shala, si edhe të z. Sabit Januzi dhe z. Ismet Bahtijari. Gjykatësi Giju është caktuar gjithashtu në funksionin e Gjykatësit të Vetëm në çështjen kundër z. Isni Kilaj.
Kryetarja e DHSK-së, Gjykatëse Ekaterina Trendafilova – e cila gjithashtu ka qenë gjykatëse në GJPN përpara se të emërohej në DHSK – e përgëzoi gjykatësin Giju dhe theksoi se zgjedhja e tij është “pasqyrim i përkushtimit të palëkundur të gjykatësit Giju në fushën e drejtësisë penale ndërkombëtare, që e ka demonstruar tashmë me dedikimin e tij të jashtëzakonshëm në DHSK, si Gjykatës i Procedurës Paraprake ose Gjykatës i Vetëm në të gjitha çështjet gjyqësore që janë aktualisht para kësaj gjykate”.
Kryetare Trendafilova shtoi se, ndonëse DHSK-ja do të humbasë një gjykatës dhe koleg të çmuar kur gjykatësi Giju të fillojë punën si gjykatës në GJPN, kjo nuk do të ketë ndikim në çështjet gjyqësore para DHSK-së, të cilat do të vazhdojnë të zhvillohen pa ndërprerje