Gjykata Komerciale ka marrë vendim që punimet në rrugën “Jim Xhema” në Prishtinë, që ndryshe njihet si “Rruga A”, të ndërpriten. Ndonëse dhoma e parë e Komerciales, dy herë vendosi në favor të vazhdimit të projektit të kësaj rruge, kur rasti po ashtu dy herë shkoi në dhomën e dytë, gjyqtari i kësaj dhome, Faton Bajrami, dy herë e ktheu atë në rivendosje. Është ky vendim i tij ai që rrjedhimisht ka prodhuar edhe pezullimin e punimeve në “Rrugën A”, për të cilën u njoftua sot.
Gazeta online Reporteri.net përmes burimeve të saj ka marrë vesh se gjyqtari Faton Bajrami, përveç se ktheu dy herë në rivendosje projektin e “Rrugës A”, pavarësisht se në dhomën e parë nuk u konstatua për probleme me tender, në vendimin e dhomës së dytë të Komerciales e ka përjashtuar nga rasti edhe gjyqtarin Arnis Dumani.
Kur rasti erdhi për gjykim në herën e tretë në Gjykatën Komerciale, u vendos që gjyqtare, në vend të Dumanit, të jetë Vlora Pacolli, motra e Fitore Pacollit, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, duke i hapur rrugë që ajo të merret me lëndën, përmes së cilës vendosi ndërprerjen e punimeve në “Rrugën A”.
Ndërkohë, me vendimin e datës 12 tetor 2023, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjyqtarin e dhomës së dytë të Komerciales, Faton Bajramin e ka aprovuar si propozim të Ministrisë së Drejtësisë për të qenë anëtar i Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurispudencës.
Ai është caktuar si zëvendëskryetar i Komisionit dhe pyetës për lëndën E Drejta Civile (materiale dhe procedurale).
Projekti i ndërtimit të “Rrugës A”, nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është konsideruar si “projekti më strategjik i Kryeqytetit dhe momentalisht i Kosovës”. Kryetari Rama ka akuzuar se vendimi për pezullim është i bazuar në interesa politike e grupe interesi duke aluduar te gjyqtarja Vlora Pacolli, motra e deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli.
Projekti për ndërtimin e rrugës “Jim Xhema”, e njohur si “Rruga A”, ka vlerën e afro 8 milionë euro e gjysmë.