GJYQI PËR MENDIMIN

- Advertisement -

Shkruan: Dardan Sejdiu

Në një demokraci liberale, kufijtë janë të qartë. Mendimi është i lirë, opinioni është i paprekshëm, ndërsa drejtësia merret me veprime, pasoja dhe dëme konkrete. Kjo ndarje është themel institucional. Pa të, vetë ideja e lirisë politike e humb kuptimin. Gjykatat nuk ekzistojnë për të gjykuar atë që një njeri e mendon, por atë që një njeri e bën. Pikërisht ky kufi e mbron qytetarin nga arbitrariteti i pushtetit dhe e mbron shtetin nga tundimi me e kthye frikën në metodë qeverisëse.

Por çka ndodh kur ky kufi fillon me u zbehë?

Në kontekstin e Kosovës, ku kapacitetet institucionale qartazi janë të kufizuara dhe ciklet e krizave politike janë bërë normë, po shfaqet një logjikë tjetër qeverisëse. Një logjikë që nuk ndërtohet mbi forcimin e institucioneve, por mbi menaxhimin e perceptimeve. Në këtë logjikë, frika nuk është një efekt anësor i pasigurisë. Është instrument.

Në sistemet me kapacitete të ulëta, si kjo e jona, udhëheqja është e vetëdijshme për kufijtë e saj. E di që nuk ka mjaftueshëm performancë për me prodhu besim të qëndrueshëm. E di që nuk ka mjaftueshëm rezultate për me e mbajtë legjitimitetin përmes qeverisjes. Dhe në vend që ta mbushë këtë boshllëk me kapacitet, e mbush me frikë. Frika përdoret për me e dekuraju kundërshtimin, për me e parandalu mobilizimin dhe, mbi të gjitha, për me e ndërpre kalimin nga ideja te veprimi. Pra, nuk kemi të bëjmë me frikë si nënprodukt të krizës. Kemi të bëjmë me frikë si vegël kompensuese për mungesën e kapacitetit.

Një nga format më të dukshme të kësaj logjike në Kosovë është vënia në “gjyq” e mendimit. Kur një ide, një qëndrim apo një kritikë ekspozohet publikisht, stigmatizohet apo delegjitimohet, kjo nuk bëhet për me kërku drejtësi në kuptimin klasik. Nuk kemi të bëjmë me një proces që synon me adresu një dëm të qartë apo një shkelje konkrete. Funksioni është tjetër. Funksioni është dërgimi i një mesazhi disiplinues. Në vend që të ballafaqohet argumenti, sulmohet karakteri. Në vend që të rrëzohet ideja, diskreditohet njeriu që e bart. Kështu, character assassination bëhet modus operandi i një pushteti që nuk ka kapacitet për debat, por ka interes për disiplinim.

Ky mesazh krijon rrezik reputacional, presion shoqëror dhe ndjenjën që pasoja mund të ketë edhe aty ku kufijtë ligjorë nuk janë shkelur fare. Kostoja nuk ka nevojë me qenë formale që me qenë reale. Mjafton të perceptohet si e mundshme. Mjafton që qytetari ta kuptojë se një mendim i caktuar mund ta ekspozojë ndaj sulmit publik, izolimit politik e ekonomik apo delegjitimimit moral. Qëllimi nuk është drejtësia. Qëllimi është paralajmërimi. Qëllimi është me u ndalë ideja para se me u ba veprim.

Këtu hyn shtresa më e rëndësishme e këtij mekanizmi. Nuk mjafton me thanë se po frikësohet një individ. Efekti real ndodh te të tjerët që e shohin rastin. Një person vihet në shënjestër, por qindra e mijëra të tjerë e shhin dhe e lexojnë mesazhin. Ata fillojnë ta llogarisin çmimin e të folurit, jo domosdoshmërisht pse dikush ua ka ndalë fjalën, por pse e kuptojnë se ekspozimi publik, stigmatizimi, sulmi politik apo presioni institucional mund të barten lehtësisht edhe mbi ta.

Kështu prodhohet vetëcensura. Jo si urdhër formal, por si mekanizëm i brendshëm. Njeriu nuk ka më nevojë të ndalohet, ai ndalet vetë. Nuk ka më nevojë të dënohet, ai tërhiqet vetë. Pikërisht këtu chilling effect bëhet jashtëzakonisht efikas për sistemet e dobëta, sepse e ul çmimin e kontrollit. Shoqëria fillon ta kryejë vetë punën e disiplinimit.

Kjo është logjika e chilling effect. Nuk ka nevojë të heshten të gjithë. Mjafton që të tjerët ta shohin se si një njeri njolloset publikisht, jo pse ka ba diçka, por pse ka thënë diçka, që shumë të tjerë ta zgjedhin heshtjen vetë.

Dhe pikërisht për këtë arsye, dëmi nuk mbetet te individi. Ai shtrihet në gjithë hapësirën publike. Debati ngushtohet. Kritika zbehet. Njerëzit fillojnë me e matë jo vetëm çfarë është e vërtetë apo e drejtë për t’u thanë, por edhe çfarë është e sigurt për t’u thanë. Në atë moment, demokracia nuk është më vend i lirisë, por vend ku secili mendon dy herë para se të flasë.

Kjo e gërryen vetë bazën e demokracisë liberale. Sepse, kur fillon të shembet dallimi mes mendimit dhe veprimit, shembet edhe kufiri mes kritikës dhe kërcënimit, mes opozitës dhe destabilizimit. Dhe kur këto dallime humbin, pushteti fiton një instrument të rrezikshëm: me e paraqitë çdo kundërshtim si problem rendi, jo si pjesë normale të pluralizmit demokratik. Kështu zbehen kufijtë institucional, dobësohet liria individuale dhe rrudhet vetë legjitimiteti demokratik. Një sistem i tillë nuk është më i fortë. Është vetëm më i frikësuar nga qytetari i vet.

Por pasojat nuk janë vetëm politike. Janë edhe ekonomike e zhvillimore. Një shoqëri që e shtyp mendimin, e shtyp edhe potencialin e vet për zhvillim. Ekonomia moderne nuk mbahet vetëm me kapital, punë dhe infrastrukturë. Ajo mbahet me ide, me eksperimentim, me gatishmëri për me e sfidu status quo-në. Kur njerëzit e matin koston e të folurit, ata fillojnë ta matin edhe koston e iniciativës. Më pak ide prodhojnë më pak ndërmarrje. Më pak guxim prodhon më pak inovacion. Më shumë vetëcensurë prodhon një ekonomi që përsërit vetveten, në vend që të transformohet.

Demokracia liberale nuk është vetëm ideal normativ. Është kusht funksional për zhvillim. Një sistem që i trembet mendimit nuk mund të prodhojë dinamizëm. Një sistem që i vendos idetë në bankën e të akuzuarit nuk mund të kërkojë shoqëri kreative, ekonomi inovative dhe qytetarë aktivë. Heshtja mund të prodhojë qetësi të përkohshme, por kurrë zhvillim të qëndrueshëm.

Prandaj, gjyqi për mendimin është vegël për ta parandaluar veprimin. Nuk është devijim i vogël, as incident i izoluar. Është logjikë qeverisëse. Është mekanizëm sistemi. Është mënyrë për ta zëvendësuar kapacitetin me kontroll, dhe shpresën me frikë.

Kur frika zëvendëson kapacitetin, heshtja bëhet metodë. Kur heshtja bëhet normë, zhvillimi ndalet. Dhe kur një shoqëri fillon të ketë frikë nga mendimi i vet, problemi i saj nuk është më vetëm politik. Është themelor.

Të ngjashme

Të fundit