Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka komentuar hyrjen e procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së në fazën e fjalës përfundimtare, duke shprehur pritjen që, sipas tij, vendimi të jetë lirues dhe duke kritikuar ashpër aktakuzën, prokurorinë dhe funksionimin e gjykatës.
Ai ka deklaruar për Ekonomia Online se nga 9 shkurti do të fillojnë fjalët përfundimtare të palëve, ndërsa ka theksuar se pret që drejtësia të vihet në vend gjatë muajit maj, duke shprehur shpresën se ish-krerët e UÇK-së do të lirohen dhe do t’u kthehen familjeve dhe shoqërisë në Kosovë.
“Realisht, është e vërtetë që të hënën, me të nëntin, me 9 shkurt, fillon fjala përfundimtare edhe e prokurorisë, edhe avokatit të viktimave, gjoja se viktimat, ato asnjë s’kanë qenë viktima, po ashtu është bërë një aktakuzë e rrejshme, e falsifikume nga Serbia, Rusia edhe nga disa shqiptarë, shqipfolës, të cilët trupin në Kosovë e kokën në Serbi, e mendojnë që Kosova duhet t’i kthehet Serbisë. Ata shqiptarë kanë gabu shumë që kanë dëshmu, kanë më konkretisht, kanë dëshmu në realitetin, s’kam gjuhë të keqe, po kanë shku me dëshmu me rrejt. Jo viqi, jo lopa, jo mali, jo çka s’kam dëgju, na vetë edhe ju i keni dëgju keni përcjell. Unë pres që në fund, diku nga mesi i majit apo fundi i majit, që ka diku drejtësi, të lirohen ata njerëz”, tha ai.
Sipas tij, aktakuza është e fabrikuar dhe se disa dëshmitarë kanë dhënë deklarata të rreme, ndërsa ka shtuar se mbrojtja ka pasur dëshmitarë ndërkombëtarë që kanë folur për rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai ka theksuar se prokuroria dhe përfaqësuesit e viktimave, sipas tij, do të kërkojnë dënime, por ka shtuar se pret që gjyqtarët të marrin një vendim që ai e cilëson të drejtë për UÇK-në.
“Një fatbardhësi që i patëm dëshmitarët e mbrojtjes e kom fjalën të mbrojtjes tonë, shumë të mirë. Kenë ndërkombëtarë të gjithë. Të gjithë treguan për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, të gjithë treguan për figurën e presidentit edhe Veselit, e Jakupit, e Kadri Veselit edhe Rexhep Selimit, kur kanë qenë ata në luftë. Do të thotë, le që kanë bërë luftë për vendin e vet, po edhe paqen e kanë bërë, edhe paqen e kanë bërë, kanë shpallë edhe pavarësinë. E shpresoj që do të lirohen ata. Unë e di çka kërkon prokuroria. Pa dyshim prokuroria ka me kërku për me i dënu. Ne e dimë edhe avokati i tyre, i viktimave çfarë kërkon, edhe atë e dimë, prej këtyre dyve s’presim punë, po ne presim gjithmonë prej gjyqtarëve. Dashtë Zoti që gjyqtarët mos t’bien pre e prokurorëve edhe e matrapazëve, të marrin vendim të drejtë, një vendim pozitiv, te quaj unë pozitiv, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E shpresoj që ata në maj vijnë, ata festojmë ditën e tyre kur do t ‘lirohen ata. Më së pari inshAllah vijnë në familjen e tyre, tani vijnë në rrethin e shoqërisë dhe të Kosovës”, tha ai.
Më tej, Gucati ka kritikuar mënyrën e trajtimit të të akuzuarve dhe funksionimin e gjykatës duke thënë se gjatë viteve janë shkelur procedura dhe rregulla burgu dhe se ekziston një mbikëqyrje e vazhdueshme gjatë vizitave.
“Drejtësia, me qenë kjo gjykatë e mirëfilltë, i kishin gjet të gjitha të drejtat e njeriut dhe të gjitha të drejtat e burgosurve. Unë lexova mbi 35 orë, nëse s’gaboj, ke incizimi i tyre, edhe përgjimet që kanë bërë, për katër vjet rresht, mbi 35 orë ke. Ka shkel çdo procedurë, çdo rregull burgu ka shkel, çdo rend. E di si është puna e burgut, edhe të vet gjykatës. Unë e kisha në vizitë para 4 muajve, kam pa dy kamera në hyrje të dhomës, prikës, aty ku jemi në dhomë. Dy kamera, gardianit te dera, përkthyesit te dera. Do të thotë, në vëzhgim çdo lëvizje e imja apo e tyre, u përcjell. Kanë bërë çdo shkelje. Kështu që, kjo po bëhet me i arsyetu këtu 5 vjet, logjika po ma thotë, po mundohet me i arsyetu këto 5 vjet që i kanë mbajt në burg presidentin dhe të tjerët, se “kemi nxjerrë diçka, gjoja se kemi nxjerrë diçka prej tyre”, që unë besoj që do t ‘dështojnë kjo, do të dështojnë. Me keqardhje e them, në Evropë me ndodh kjo gjykatë, kaq e poshtër, një gjykatë e cila simulon të gjitha mund me i pas, po drejtësi s’ka aty fare hiç. Unë gjithmonë flas për gjykatën, jo për burgun, se ato vendime merren prej gjykatës. Gardianët e stafi ata s’kanë faj, po faj ka gjykata që merr vendime të njëanshme, për fat të keq, unë flas që ajo po zbaton po gjykata është shumë, aq është e poshtër, sa që unë nuk e di a ka dikun në Evropë, vetë Gjykata e Nyrembergut që kam lexu për ta, kam pa, tani kjo gjykatë është, ta çon mallin e Gjykatës së Nyrembergut”, tha ai.
Nga e hëna, më 9 shkurt, gjykimi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së hyn në fazën e fjalës përfundimtare të palëve, ku secila do të paraqesë argumentet e saj.
Nga 9 deri më 18 shkurt pritet të mbahen seancat me prokurorinë, trupin gjykues dhe mbrojtjen, ndërsa në fund do të mbajnë fjalimet e tyre katër të akuzuarit: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.





