Deklaratat përmbyllëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë në gjyqin e madh kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, përfunduan sot. Edhe Mbrojtësi i viktimave dha fjalën e vet, ndërsa nesër është dita për fjalën e fundit të mbrojtjes së ish-presidentit të Kosovës.
Luka Mishetiq, avokati i Thaçit po ashtu njoftoi se të mërkurën, në orën 09:00 do të fillojë deklaratën përmbyllëse, transmeton Klankosova.tv
“Do ta paraqes deklaratën përmbyllëse në gjykimin për krime lufte të klientit tim, Hashim Thaçi, nesër (të mërkurën) në orën 9:00 sipas Kohës së Europës Qendrore (CET). Mund ta ndiqni në këtë lidhje, me një vonesë prej 45 minutash (videoja do të fillojë në orën 9:45 CET): https://streaming.scp-ks.org“, shkroi ai në një postim në X.
Në fund të përmbylljes së deklaratave nga ZPS, Kryeprokurorja Kimberly West, e mori fjalën për herë të dytë, pasi fillimisht foli dje, për dënimin që kërkoi për katërshen e UÇK-së, nga 45 vjet burg për secilin – 180 në total.
Kërkesa e ZPS-së shkaktoi reagime të shumta në Kosovë, duke nisur nga presidentja Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, liderët e partive të tjera, Bedri Hamza, Lumir Abdixhiku, Ramush Haradinaj, e po ashtu edhe nga OVL-UÇK e personalitete të tjera.
Krejt çka u tha në ditën e dytë të deklaratave përmbyllëse në Speciale, i gjeni më poshtë.






