Prokuroria Speciale, përmes Departamentit për Krime Lufte, me vetëm pesë prokurorë, ka ngritur 80 aktakuza për krime lufte ndaj 260 personave gjatë një dekade. Që nga viti 2023, kur hyri në fuqi ligji që mundëson gjykimin në mungesë, është shënuar rritje e numrit të rasteve të trajtuara.
Gjatë vitit 2025, Departamenti për Krime Lufte në Prokurorinë Speciale ka ngritur 11 aktakuza për krime lufte, prej të cilave 7 në mungesë.
Me rreth një mijë lëndë të trashëguara nga misioni i EULEX-it dhe me një numër të konsiderueshëm aktakuzash të ngritura për krime lufte, vetëm pesë prokurorë të Prokurorisë Speciale përballen me mbledhjen e fakteve për ndërtimin e aktakuzave. Gjatë dekadës së fundit janë ngritur 80 aktakuza ndaj 260 personave, raporton RTK.
Trajtimi i çështjeve penale për krime lufte paraqet vështirësi të mëdha për shkak të mosbashkëpunimit të Serbisë. Megjithatë, lehtësim ka sjellë ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale, i cili nga viti 2023 parasheh mundësinë e gjykimit në mungesë. Që nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Prokuroria Speciale ka ngritur 20 aktakuza në mungesë ndaj 102 personave, përfshirë rastin e masakrës së Mejës dhe dëbimin e popullsisë civile.
“Për 20 vjet nuk kemi pasur një autoritet të mirëfilltë për hetimin e këtyre veprave penale. Mundësitë tona janë krijuar kryesisht gjatë pesë viteve të fundit, brenda kapaciteteve që kemi. Vetë fakti se kemi një numër të konsiderueshëm aktakuzash tregon se jemi duke shkuar në drejtimin e duhur. Zgjidhja për këtë çështje është hartimi i një strategjie nacionale për adresimin e të gjitha problemeve në fushën e krimeve të luftës”, tha Ilir Morina, prokuror në Prokurorinë Speciale.
Gjatë vitit 2025 janë ngritur 11 aktakuza për krime lufte, prej të cilave 7 në mungesë. Ndërkohë, janë shpallur 10 aktgjykime, 9 dënuese dhe 1 lirues, me 9 persona të arrestuar.






