Kryetarja e trupit gjykues në Gjykatën Speciale ka refuzuar kërkesën e avokatit të ish-shefit të AKI-së, Bashkim Smakaj që të lirohet me kusht.
Kryetarja e trupit gjykues të Speciales, tha se aktakuza e ngritur për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë përbën “motiv të shtuar për arratisje”, nëse ai lihet i lirë,
“Rrethanat familjare nuk e heqin rrezikun për t’u arratisur. Unë vendos që z. Smakaj të mbetet në paraburgim”, tha ajo, për ta mbyllur seancën e sotme të paraqitjes së parë të ish shefit të AKI-së në Gjykatën Speciale.
Ai akuzohet për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës.
Ndryshe, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK të premten më 6 dhjetor në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.