Gjykata Supreme e Kosovës ka reaguar ashpër pas sulmeve të pushtetit lidhur me vendimin e fundit.

Supremja ka thënë se reagimet janë direkt ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit.

Aty thuhet se të gjitha vendimet janë të bazuara në Kushtetutë.

Reagimi:

Kundër-reagim i Gjykatës Supreme të Kosovës ndaj reagimit të Qeverisë së Kosovës për nxjerrjen e aktgjykimit P.A.nr.09/2025

Prishtinë, 16 korrik 2025 – Gjykata Supreme e Kosovës shpreh keqardhje për reagimin tendencioz të Qeverisë në detyrë, ndaj aktgjykimit të saj; P.A.nr.09/2025, përmes të cilit shfuqizohet Udhëzimi Administrativ (MFPT) nr.01/2025 për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronikë Fiskalë.

Reagimi i Qeverisë në detyrë, përbën, jo vetëm një keqinterpretim të natyrës së vendimmarrjes gjyqësore, por njëkohësisht një ndërhyrje të papranueshme në pavarësinë e gjyqësorit. Të gjitha institucionet, përfshirë Qeverinë, janë të obliguara ta respektojnë pavarësinë e gjyqësorit si një nga themelet e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

Vendimet e Gjykatës Supreme janë të bazuara në Kushtetutë dhe në ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës dhe si të tilla duhet të respektohen.

Gjykata Supreme si zbatuese e ligjit, edhe në rastin konkret, ka garantuar që akti nënligjor të jetë në përputhje me normat juridike që rregullojnë mënyrën dhe kohën e miratimit të tyre. Ndaj, çdo përpjekje për ta vënë në pikëpyetje autoritetin e Gjykatës dhe legjitimitetin e vendimeve të saj, përmes deklaratave politike, cenon pavarësinë e gjyqësorit dhe dëmton besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

Gjykata Supreme pret në rend të parë nga institucionet shtetërore të tregojnë gatishmëri për zbatimin e vendimeve gjyqësore, si kusht i funksionimit të shtetit ligjor.

Gjykata Supreme do të vazhdojë të ushtrojë funksionin e saj në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar, duke garantuar zbatimin e ligjit.