Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë nënshkruar marrëveshje me Mbretërinë e Belgjikës.

Kështu, të dënuarit nga Gjykata Speciale, do të mund ta vuajnë burgun në Belgjikë.

Kështu është bërë e ditur me një komunikatë për media.

“Marrëveshjen e nënshkruan Administratorja e DHSK-së, Dr. Fidelma Donlon, dhe z. Zherar Div, shef i Autoritetit Qendror për Bashkëpunim me Gjykatat Penale Ndërkombëtare, në Ministrinë e Drejtësisë së Belgjikës në Bruksel. Sipas kësaj marrëveshjeje, personat e dënuar nga DHSK-ja mund ta kryejnë dënimin me burgim në Belgjikë, në varësi të kushteve që cakton DHSK-ja dhe miratimit të Belgjikës”, thuhet në njoftim.

“Kryetarja Ekaterina Trendafilova nënvizoi se zbatimi i dënimit është thelbësor për një sistem gjithëpërfshirës dhe efektiv të drejtësisë penale ndërkombëtare. Ajo shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës për DHSK-në dhe theksoi: “Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Mbretëria e Belgjikës riafirmon përkushtimin e fuqishëm të saj ndaj drejtësisë penale ndërkombëtare dhe aftësinë e DHSK-së për të kryer mandatin e vet.” Kryetarja e DHSK-së ftoi gjithashtu edhe shtetet e tjera të ndjekin shembullin e Belgjikës në fuqizimin e kornizës së DHSK-së për zbatimin e dënimeve përmes arritjes së marrëveshjeve të ngjashme”, thuhet më tutje.

“Shefi i Autoritetit Qendror të Belgjikës deklaroi: “Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje dëshirojmë të shprehim mbështetjen e Belgjikës ndaj DHSK-së dhe drejtësisë ndërkombëtare në tërësi. Me këtë marrëveshje, Belgjika tregon angazhimin e vet të palëkundur ndaj funksionimit të plotë të DHSK-së, sipas marrëveshjes midis BE-së dhe Kosovës.” Në pajtim me Shkëmbimin e Letrave të vitit 2014 midis Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë dhe Presidentes së Kosovës, dhe nenin 162 të Kushtetutës së Kosovës, dënimet e formës së prerë kryhen jashtë Kosovës”, përfundon komunikata.

Aktualisht, për krime të luftës janë të dënuar Salih Mustafa me 15 vjet burg, dhe Pjetër Shala me 18 vjet burg.

Megjithatë, vuajtja e dënimit, në Belgjikë në këtë rast, mund të bëhet tek pasi aktgjykimi të marrë formën e prerë