28.2 C
New York
Saturday, August 16, 2025

Buy now

Gjykata Speciale kritikon Prokurorinë, por ia vazhdon paraburgimin e Thaçit – edhe pse kanë mbetur veç dëshmitarët e mbrojtjes

Gjykata Speciale me seli në Hagë, nuk ka bërë ndonjë ndryshim. Tash e sa muaj, me argumentet e njëjta ia ka vazhduar paraburgimin Hashim Thaçit.

Njëjtë ka bërë edhe së fundmi. Pavarësisht, se edhe vetë gjyqtarët e kanë kritikuar Prokurorinë, që argumentet e tyre janë krejtësisht të njëjta dhe pa asnjë ndryshim. Megjithatë, kërkesat e Prokurorisë po aprovohen.

Pavarësisht se Gjykata Speciale konfirmoi se nuk ka rrezik të arratisjes për Thaçin tash e disa herë, Prokuroria vazhdon të ofrojë të njëjtat argumente.

“Paneli vëren se ZPS-ja po paraqet në thelb të njëjtat argumente që janë marrë në konsideratë dhe janë refuzuar nga Paneli në vendimet e mëparshme, në lidhje me çështjet e mëposhtme: (i) ndërgjegjësimi i Z. Thaçi për seriozitetin e akuzave të konfirmuara kundër tij; (ii) potenciali i një dënimi të gjatë nëse ai dënohet; (iii) njohuria e plotë e Z. Thaçi për çështjen dhe provat e paraqitura kundër tij dhe (iv) ndërgjegjësimi i Z. Thaçi se akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë janë konfirmuar kundër tij. Në këtë drejtim, Paneli kujton konstatimin e Panelit të Gjykatës së Apelit se nuk duhet të pritet që Gjyqtari i Procedurës Paraprake të shqyrtojë parashtresa që thjesht përsërisin argumente që janë trajtuar tashmë në vendimet e mëparshme të shqyrtimit”, thuhet në vendim, raporton Nacionale.

Gjyqtarët sërish e kanë konfirmuar se Thaçi nuk ka tendencë të arratiset.

“Paneli konstaton se, ndërsa rreziku i arratisjes nuk mund të përjashtohet kurrë plotësisht, Paneli konsideron se Prokuroria Speciale nuk ka arritur të vërtetojë pretendimin e saj për një “mundësi mjaftueshëm reale” që i Akuzuari të arratiset nëse lirohet, bazuar në fazën e procedurave”, thuhet më tutje.

Pavarësisht se nuk ka më dëshmitarë të Prokurorisë, e as të avokatit të viktimave, pavarësisht se kërkesat e Prokurorisë janë krejt të njëjta, gjyqtarët sërish morën vendimin në favor të tyre.

“Paneli kujton se emrat dhe detajet personale të disa dëshmitarëve shumë të ndjeshëm të Prokurorisë Speciale i janë zbuluar Mbrojtjes së Thaçit, dhe për këtë arsye janë bërë të njohura për një gamë më të gjerë njerëzish, përfshirë Z. Thaçi. Kjo, nga ana tjetër, rrit rrezikun që informacioni i ndjeshëm që lidhet me dëshmitarët të bëhet i njohur për publikun. Përveç kësaj, Paneli kujton se informacioni në lidhje me viktimat-dëshmitarë me status të dyfishtë dhe dëshmitarët e Avokatit të Viktimave, disa prej të cilëve kanë dëshmuar, i është dhënë Mbrojtjes së Thaçit dhe se Paneli ka konstatuar se kjo gjithashtu amplifikon rrezikun që informacioni konfidencial që lidhet me viktimat të bëhet i njohur për anëtarët e publikut. Ky rrezik ekziston edhe pasi dëshmitarët e Prokurorisë Speciale dhe të Avokatit të Viktimave të kenë dëshmuar, pasi shumë prej tyre kanë masa mbrojtëse dhe identiteti i tyre nuk duhet t’i bëhet i njohur publikut në asnjë kohë”, thuhet më tutje.

Thaçit ia kanë përmendur aktakuzën për pengim të drejtësisë, si arsye për vazhdimin e paraburgimit.

“Në lidhje me këtë, Paneli kujton gjetjet e tij të mëparshme se duket se Z. Thaçi u ka ofruar vizitorëve jo të privilegjuar informacione të nxjerra gjatë dëshmisë së dëshmitarëve të mbrojtur. Për më tepër, të dhënat sugjerojnë se ai i ka përcjellë një vizitori jo të privilegjuar udhëzime që lidhen me një dëshmitar të ardhshëm të ZPS-së në lidhje me formën dhe përmbajtjen e dëshmisë së ardhshme të atij dëshmitari”, thuhet më tutje.

Vendimi përfundon duke pretenduar se në Kosovë ka klimë të frikësimit të dëshmitarëve.

“Për më tepër, një rrezik i tillë ekziston brenda një klime të vazhdueshme të frikësimit të dëshmitarëve dhe ndërhyrjes në procedurat penale kundër ish-anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”) në Kosovë, të cilin vetëm masat mbrojtëse nuk mund ta kapërcejnë”, përfundon vendimi.

Të ngjashme

Të fundit