Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), në një mbledhje të jashtëzakonshme, ka shfuqizuar vendimin për miratimin e Rregullores për plotësim/ndryshimin e rregullores për Themelimin dhe Funksionalizimin e Komisionit për Koordinim dhe Luftimin e Krimit Ekonomik. Si pasojë, prokurori Kujtim Munishi mbetet pa pozitën e koordinatorit kombëtar për këtë fushë.
Munishi ishte emëruar në këtë pozitë gjatë mbledhjes së 266-të të Këshillit, mirëpo ndryshimet e rregullores që mundësuan emërimin e tij u shpallën të paligjshme nga Gjykata Supreme më 14 korrik 2025.
Sipas Supremes, KPK ka ndërmarrë ndryshimet pa koordinim me institucionet tjera nënshkruese të memorandumit dhe përmes një grupi punues të brendshëm, ka kufizuar në mënyrë retroaktive një mandat që më herët ishte i pacaktuar në kohë.
“E paditura nuk ka ofruar asnjë sqarim të mjaftueshëm për qëllimin e ndryshimeve të rregullores, në kohën kur paditësi, prokurori Shqipdon Fazliu, ka ushtruar funksionin në mënyrë të vazhdueshme që nga viti 2013”, thuhet në vendimin e Gjykatës.
Me këtë vendim, rregullorja nr.04/2025 shpallet e paligjshme dhe rrjedhimisht prokurori Shqipdon Fazliu mbetet në pozitën e koordinatorit kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik.