Prokuroria Themelore në Prishtinë më 13 tetor 2025 kishte kërkuar që Gjykata të lëshojë urdhër ndalues përfundimtar për 7 hektarë tokë në Veternik, me qëllim që të ndalojë shitjen, transferimin apo ngarkimin e pronës që është pjesë e një hetimi penal. Por, pas shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar këtë kërkesë, duke konstatuar se ajo nuk është e mbështetur me prova të mjaftueshme.

Në këtë rast, Prokuroria po hetonte të pandehurit Ylber Hyseni dhe Afrim Gashi për veprat penale “Mashtrimi në bashkëkryerje” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, të parashikuara me nenet 323 dhe 395 të Kodit Penal. Megjithatë, sipas aktvendimit të gjyqtarit Fisnik Gashi, datë 12 nëntor 2025, kërkesa e Prokurorisë është refuzuar në tërësi, pasi nuk ishte dëshmuar lidhja midis dokumenteve të supozuara si të falsifikuara dhe fitimit të pronësisë mbi tokën në fjalë.

“Prokuroria në kërkesën e saj nuk ka bërë ndërlidhjen e nevojshme ndërmjet provave dhe pretendimit për fitimin apo bartjen e të drejtave pronësore mbi pasurinë e përshkruar me përdorimin e dokumenteve të falsifikuara. Kërkesa nuk është e mbështetur me prova të mjaftueshme”, thuhet në aktvendimin e siguruar nga Front Online.
Në të njëjtin dokument, gjykata thekson se Prokuroria ka pasur për obligim që për secilën pasuri të përfshirë në kërkesë të ofrojë arsyetim të mjaftueshëm për të provuar se bëhet fjalë për pasuri të specifikuar, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale. Por, sipas gjykatës, një arsyetim i tillë nuk është dhënë.
Tutje, në aktvendim theksohet se Prokuroria është mbështetur në konstatimet e Agjencisë së Kadastres së Kosovës (AKK) për mospërputhje në dokumente, pa sqaruar se bartja e pronësisë është bërë përmes dokumenteve të supozuara si të falsifikuara.

“Nuk mjafton vetëm konstatimi i falsifikimit, por duhet treguar lidhja shkak-pasojë midis dokumenteve të supozuar si të falsifikuar dhe aktit juridik që ka rezultuar me bartjen e të drejtave pronësore”, theksohet në vendim.
Në përfundim, gjykata ka konstatuar se nuk është vërtetuar dyshimi i bazuar që përmes dokumenteve të falsifikuara të jetë fituar pronësia mbi tokën.
Për këtë arsye, pasuria është liruar nga çdo masë e ndalimit, duke rrëzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.





