Gjykata Themelore e Prishtinës ka refuzuar kërkesën e Komunës së Prishtinës për pezullimin e vendimit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të cilët kanë ndaluar punimet në sheshin “Xhorxh Bush”.
Lajmin e ka konfirmuar për Albanian Post zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
“Hidhet poshtë si e palejuar padia/kërkesa për pezullimin e ekzekutimit të vendimit e paditëses/propozueses, Komuna e Prishtinës, nën shenjën A.nr.1922/2025 e datës 093.06.2025 për shkak të mungesës së legjitimitetit aktiv”, është thënë në pikën e parë të aktvendimit.
MKRS-ja dhe Inspektorati për Trashëgimi Kulturore vlerësuan se komuna ka nisur punimet pa leje formale nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM), në një pjesë që përfshihet në Qendrën Historike – zonë e mbrojtur kultorore.
Për këtë arsye, inspektorati vendosi ndalimin e punimeve më 12 mars 2025 dhe vendosi shenjat për ndalimin në terren, me praninë e zyrtarëve komunalë
Megjithatë, komuna theksoi se projekti respekton planin urbanistik dhe nuk dëmton mbrojtjet kulturore.
Atyre iu duk që IKMM veproi me “standardet e dyfishta” dhe akuzuan Ministrinë për “tendenca politike” dhe për përpjekje për të bllokuar transformimin urban, në anën tjetër ministria e quajti veprimin “shkelje të qartë ligjore” dhe paralajmëroi pasojat, përfshirë dëmtime të mundshme financiare për buxhetin shtetëror
Komuna rifilloi punimet më 28 prill 2025, duke deklaruar se ka leje nga Drejtoria e Urbanizmit dhe se punimet janë brenda kufijve ligjorë, të njëjtat u ndërprenë sërish nga ministria për të rinisur sërish një ditë më pas.