Sot në ora 11:00, do të mbahet seanca në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha për miratimin e kërkesës së Prokurorisë për “arrest shtëpie” për dosjen hetimore të privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Të martën seanca u shty dhe shkak u bë kërkesa e avokatëve mbrojtës, të cilët kërkuan më shumë kohë, që të njihet me aktet dhe provat e paraqitura nga Prokuroria, shkruan abcnews.
Ata po ashtu kërkuan përjashtim të gjyqtares Irena Gjoka me pretendimin se kjo e fundit ka konflikt interesi me ish-kryeministrin, i cili sipas tyre e ka shkarkuar nga detyra në 1996.
Kuvendi të premten e shkuar vendosi me 75 vota pro heqjen e imunitetit duke vendosur kështu Sali Berishën në dorë të drejtësisë. Sakaq, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar “arrest shtëpie” për Berishën, me mbikëqyrje të punonjësve të Policisë së Shtetit.