-3.7 C
New York
Friday, February 21, 2025

Buy now

Gjykata liron nga akuza për mashtrim në detyrë tre zyrtarë të Drenasit

- Advertisement -

Gjykata Themelore e Prishtinës ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Flora Krasniqit, Abit Zariqit dhe Gani Halilajt, të cilët në cilësinë e zyrtarëve të Komunës së Drenasit akuzoheshin për mashtrim në detyrë.

“Konform nenit 363, par.1, pika 1.3 lirohen nga akuza për shkak të veprës penale ‘Mashtrim në detyrë’ nga neni 424, paragrafi 2 lidhur me paragrafi 1 dhe lidhur me nenin 31 të Kodit penal të Republikës së Kosovës sepse nuk është provuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilët janë akuzuar”, tha gjykatësi i rastit Alban Ajvazi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Ajvazi njoftoi se shpenzimet e procedurës bien në barrë të buxhetit të gjykatës dhe se palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese prej 30 ditësh pasi të pranohet vendimi i gjykatës në formë të shkruar.

Gjithashtu, Komuna e Drenasit si palë e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore-juridike u udhëzua në kontest të rregullt juridiko-civil.

Gjykatësi Ajvazi tha se pas administrimit të provave gjatë shqyrtimit gjyqësor, Gjykata ka gjetur se dëmi është shkaktuar para se të formohet komisioni për pranimin teknik të punimeve pjesë e të cilit ishin tre të akuzuarit.

Në këtë rast, i akuzuar ka qenë edhe F.Q., i cili ka ndërruar jetë, si dhe Remzi Vrellaku, i cili sipas aktakuzës gjendet në arrati.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të ngritur më 24 qershor 2020, të akuzuarit F.Q, Flora Krasniqi, Abit Zariqi dhe Gani Halilaj, si persona zyrtarë dhe i akuzuari Remzi Vrellaku si person përgjegjës, nga periudha kohore 2012-2013 e deri më 12 maj 2019, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose për personin tjetër kanë bërë prezantime të rreme të raportit të llogarive, duke vënë në lajthim personin e autorizuar në kryerjen e pagesës së kundërligjshme për punët të cilat nuk ishin kryer.

Në aktakuzë, thuhet se i pandehuri F.Q., në cilësinë e zyrtarit të Komunës së Drenasit për menaxhimin e kontratës në realizimin e projektit me titull “ndërtimi i gypit të ujësjellësit nga rezervuari i Feronikelit deri te rezervuari i Kamenicës”, në vlerë prej 55 mijë e 862 euro, me të cilin projekt ishin paraparë që të bëhet furnizimi me ujë të pijshëm i 22 fshatrave të Komunës së Drenasit, ku kompania NN “Vrellaku & Doni-komerc” është shpërblyer me kontratën e datës 25 tetor 2012, ndërsa Komuna e Drenasit ka nënshkruar edhe aneks-kontratën në vlerë prej 5 mijë e 581 euro me kompaninë NN “Vrellaku & Doni Komerc”, në bashkëkryerje edhe me të pandehurit Flora Krasniqi, kryetare dhe të pandehurit Abit Zariqi dhe Gani Halilaj, në cilësinë e anëtarëve të komisionit për pranim teknik të punimeve të këtij projekti në fjalë, me dashje me veprimet e tyre i kanë mundësuar punëkryerësit= pronarit të kompanisë NN. “Vrellaku”- të pandehurit Remzi Vrellaku, që mos t’i kryejë punët ashtu siç kanë qenë të specifikuara në dosjen e tenderit.

Kjo sipas aktakuzës duke bërë pranimin teknik, edhe pse nga raportet e kompanisë mbikëqyrëse NPN “Eng Idea & Bamirs” vazhdimisht kishin pranuar vërejtje sikurse edhe kërkesë për testim të gypave pa rekomandim se ato punime kishin përfunduar.

Tutje, në aktakuzë thuhet se më vonë nga raporti i komisionit të verifikimit të gjendjes faktike në terren, ishte gjetur se ky projekt i pranuar teknikisht nuk kishte përfunduar pasi që ishte gjetur se thellësia e gypave nuk është më shumë se 20-30 cm, ndërsa në disa pjesë nuk kanë gjetur gypa fare dhe sipas këtij raporti vlera e dëmit për të dëmtuarën Komunën e Drenasit të përllogaritur sillet rreth 25 mijë euro.

Me këtë, Prokuroria të pandehurit i ka ngarkuar me veprën penale në bashkëkryerje “Mashtrimi në detyrë” nga neni 426, par.2 lidhur me par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit