Përmes një vendimi që e bëri publik të premten pasdite, Gjykata Kushtetuese i ka hapur rrugë Blerim Isufajt për dekretim si kryeprokuror i shtetit.
Kundërkandidati i Isufajt, Shqipdon Fazliu më herët i është ishte drejtuar Kushtetueses me pretendimin se “vendimi i Këshilli Prokurorial për përzgjedhjen e Blerim Isufajt i kishte shkelur të drejtat dhe liritë e tyre të garantuara me Kushtetutë dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
Kurse Gjykata Themelore, Apeli e Supremja patën vendosur që padia ishte e pasafatshme dhe këtë e ka konstatuar edhe Kushtetuesja. Në vendimin e Kushtetueses thuhet se aktgjykimi i Supremes, ndërlidhur me aktvendimin e apelit dhe të Themelores, nuk janë në kundërshtim me “Të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm”.
“Gjykata njëzëri ka vendosur që të (i) deklarojë kërkesën e pranueshme; dhe (ii) të konstatojë që Aktgjykimi [ARJ.nr.114/2022] i 23 dhjetorit 2022 i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës ndërlidhur me Aktvendimin [AA.nr.650/2022] e 1 shtatorit 2022 të Gjykatës së Apelit dhe Aktvendimin [A.nr.1875/22] e 2 gushtit 2022 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, nuk janë në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta në gjykim të paanshëm) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.