Gjykata Themelore e Prishtinës ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj pronarëve të Spitalit Amerikan dhe Qendrës Kardiake për mungesë provash.
Gjykata Themelore e Prishtinës ka rrëzuar aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj pronarit të Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeu, dhe pronarit të Qendrës Kardiake të Kosovës, Ekrem Lluka, të cilët ishin të akuzuar për falsifikim dokumentesh dhe shpërlarje parash. Në vendimin e saj, Gjykata konstatoi se Prokuroria nuk ka ofruar prova të mjaftueshme që këto vepra penale t’u atribuohen të pandehurve.
Sipas aktvendimit, dokumentet e konsideruara si të falsifikuara janë nënshkruar nga persona të autorizuar dhe nuk përmbajnë ndërhyrje që do të plotësonin elementet e veprës penale të falsifikimit, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjykata gjithashtu thekson se Prokuroria ka gabuar në aplikimin e ligjit, duke përdorur Kodin Penal të vitit 2019 për veprime të pretenduara të kryera në vitet 2014-2015, kur në fuqi ishte Kodi i vitit 2012 – më i favorshëm për të pandehurit.
Gjykata sqaron se për të vërtetuar shpërlarjen e parave duhet së pari të vërtetohet vepra penale bazë nga e cila rrjedhin të ardhurat e paligjshme. Në këtë rast, nuk ka asnjë provë se paratë e supozuara të paligjshme janë përdorur për blerjen e ndonjë prone apo për transaksione konkrete.
“Prokuroria nuk ka specifikuar asnjë shumë konkrete, asnjë llogari bankare, apo ndonjë transfer të saktë të realizuar me para të dyshuara si të pista. Pretendimet mbeten në nivelin e supozimeve dhe nuk mbështeten me prova të pakontestueshme,” thuhet në arsyetimin e Gjykatës.
Për më tepër, Gjykata kritikon faktin se janë kërkuar konfiskime të pronave pa saktësuar se ku ndodhen dhe cilat janë provat që dëshmojnë se ato janë produkt i veprës penale. Transaksionet bankare, sipas vendimit, janë të rregulluara nga kontrolle të rrepta dhe nuk rezulton që ndonjë veprim i kryer nga të akuzuarit të jetë ndëshkuar qoftë edhe me ndonjë gjobë administrative.
Në përfundim, Gjykata Themelore e Prishtinës vendosi pushimin e procedurës ndaj të gjithë të akuzuarve për mungesë provash.