Mati akuzohet se në cilësinë e zyrtarit policor ka marrë 100 euro nga e dëmtuara A.F., të cilën e kishin ndaluar për tejkalim të shpejtësisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Themelorja në Gjakovë më 11 shtator 2024 kishte shpallur aktgjykim me të cilin të akuzuarin Mati e ka liruar nga akuza për marrje ryshfeti.
Kundër aktgjykimit të Themelores, në afat ligjor ankesë ka ushtruar Prokuroria Themelore në Gjakovë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe të vendimit mbi lirim, me propozim që Gjykata e Apelit, ta aprovojë në tërësi ankesën, ndërsa aktgjykimin e ankimuar ta anulojë dhe çështjen t’ia kthejë të gjykatës së shkallës së parë në rigjykim.
Mbrojtësi i të akuzuarit Mati, avokati Teki Bokshi, ka paraqitur përgjigje në ankesën e Prokurorisë, duke propozuar që ankesa e Prokurorisë të refuzohet si e pabazuar dhe të vërtetohet aktgjykimi i Themelores.
Kurse, Prokuroria e Apelit përmes një shkrese ka kërkuar të aprovohet si e bazuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Gjakovë dhe lënda të kthehet në rigjykim, kurse përgjigja në ankesë e mbrojtjes- të refuzohet si e pabazuar.
Gjykata e Apelit pasi shqyrtoi shkresat e lëndës, e aprovoi si të bazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë dhe çështjen e ktheu në rivendosje.
Cilat janë gjetjet e Apelit?
Apeli ka vlerësuar se ekzistojnë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, dhe duke vepruar edhe sipas detyrës zyrtare, aktgjykimi i ankimuar duhet anuluar ngase i njëjti është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, si rezultat i të cilave as gjendja faktike nuk është vërtetuar drejt dhe në mënyrë të plotë.
Në vendim thuhet se në aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë në pjesën e arsyetimit nuk janë paraqitur arsye të qarta dhe të mjaftueshme për të gjitha pika e aktgjykimit. Po ashtu, aty thuhet se nuk janë vlerësuar dhe arsyetuar në mënyrën e duhur provat që janë administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Sipas Apelit, arsyetimi i aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë, jo vetëm që është i mangët, por në pjesën dërmuese të tij, sidomos pjesa e paraqitjes së përmbajtjes së provave respektivisht leximit të deklaratës së dëshmitares A.F., është një përshkrim, sidomos në pjesën në të cilën është konstatuar se janë lexuar deklaratat e kësaj dëshmitareje, të dhëna në Inspektoratin Policor të Kosovës, dhe në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, pasi që prezenca e saj në shqyrtimin gjyqësor edhe përkundër përpjekjeve të gjykatës nuk është arritur të sigurohet, ndërsa një konstatim i tillë i gjykatës, Apeli vlerëson se është bërë pa dhënë detaje më të hollësishme dhe pa specifikuar nëse në këtë rast janë bërë përpjekje të përsëritura të gjykatës për sigurimin e prezencës së dëshmitares.
Duke qenë se deklarata e dëshmitares A.F., ishte ndër prova më të rëndësishme në këtë çështje penale, mbi bazën e të cilës edhe është bazuar aktgjykimi i Themelores, atëherë, Apeli vlerëson se gjykata në fjalë nuk është dashur që të mjaftohet vetëm me konstatimin e lartcekur, por që është dashur që të bëjë edhe përpjekje tjera, duke u bazuar në dispozitat përkatëse ligjore, për të shqyrtuar mundësinë e sigurimit të prezencës fizike të dëshmitares apo eventualisht edhe përmes sigurimit të dëshmisë së kësaj dëshmitareje, duke shfrytëzuar edhe ndihmën juridike ndërkombëtare apo mundësitë tjera teknologjike.
Përveç kësaj, Apeli gjen se gjykata e shkallës së parë nuk ka analizuar dhe vlerësuar të gjitha provat që janë administruar në shqyrtim gjyqësor, si dhe nuk janë krahasuar deklarimet e dëshmitares L.K., të dhëna në të gjitha fazat e kësaj procedure penale, me deklarimet e të dëmtuarës si dëshmitare A.F.
“Nga shkresat e lëndës, përkatësisht nga aktgjykimi shihet se gjykata e shkallës së parë nuk i ka falur besimin deklarimeve të të dëmtuarës si dëshmitare në Prokurorinë Themelore në Gjakovë dhe në Inspektoratin Policor të Kosovës, me arsyetim se këto deklarata kanë kundërthënie mes vete, pasi që në Inspektoratin Policor ka deklaruar se të pandehurit i ka dhënë 100 euro, ndërsa në Prokurori ka deklaruar se të pandehurit i ka dhënë 105 euro”, thuhet në vendimin e përpiluar më 5 maj 2025.
Lidhur me këtë çështje, kolegji i Gjykatës se Apelit ka vlerësuar se, dëshmitarja në të dy deklarimet e saja nuk ka ndryshuar përmbajtjen esenciale të deklarimit në raport me kohën, vendin dhe mënyrën. Por, thuhet se dallimi i vetëm është se në Prokurori ka deklaruar se i ka dhënë 105 euro, mirëpo ky deklarim gjen mbështetje në deklarimin e dëshmitares L.K., pasi që e njëjta në të gjitha deklarimet e saja ka deklaruar se e dëmtuara i ka dhënë 105 euro.
“Gjykata e shkallës së parë është dashur që të vlerësojë çdo provë një nga një dhe në lidhje me provat e tjera dhe në bazë të vlerësimit të tillë të nxjerrë përfundimet nëse faktet e caktuara janë vërtetuar apo jo, e jo si ne rastin konkret nuk ka bërë krahasime në mes deklarimeve të dëshmitarëve për të njëjtën rrethanë, e që me të drejtë pretendohet edhe në ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë”, thuhet më tej në vendimin e Apelit.
Sipas Apelit, Themelorja është dashur që të vlerësojë në mënyrë të veçantë edhe saktësinë e provave kundërthënëse, ndërsa më pastaj të nxjerrë konkluzione të caktuara në lidhje me këtë çështje penale.
Në fund, Apeli ka përmendur natyrën e shkeljeve të cilat kanë bërë që kjo çështje të kthehet në rigjykim, kështu duke theksuar atë që Themelorja duhet t’iu përmbahet në rigjykim.
“Shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale të theksuara më lart, me të cilat është përfshirë aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, janë të asaj natyre që nuk kanë mundur që të evitohen nga Gjykata e Apelit e Kosovës, kështu që të njëjtat kanë qenë arsye që kanë imponuar që detyrimisht kjo çështje penale të kthehet në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë”, thuhet në vendim.
Sipas Apelit, në rigjykim Themelorja në shqyrtimin gjyqësor duhet të evitojë të gjitha shkeljet që kjo Gjykatë ka evidentuar dhe të bëjë përpjekje për sigurimin e dëshmitares A.F., duke iu referuar veprimeve të përcaktuara si në vendimin e saj, në mënyrë që të merret vendim i drejtë sipas dispozitave ligjore.
“Në rigjykim, gjykata e shkallës së parë duhet që ta caktojë edhe një herë shqyrtimin gjyqësor dhe t’i evitojë të gjitha shkeljet e lartcekura, duke administruar sërish të gjitha provat dhe duke bërë përpjekje të serishme për sigurimin e dëshmitares A. F, si dhe duke ndërmarrë veprimet tjera të përcaktuara më lart, ndërsa më pastaj, të marrë një vendim të drejtë, të ligjshëm dhe të arsyetuar mjaftueshëm për çdo pikë të aktgjykimit, ashtu siç është parashikuar me dispozitat përkatëse ligjore”, thuhet në vendimin e Apelit.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë më 6 nëntor 2023, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Fidan Mati, të cilin e akuzon se në cilësinë e zyrtarit policor në Stacionin Policor në Gjakovë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe pranuar të holla në mënyrë që të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se zyrtari policor Flamur Frrokaj e kishte ndaluar automjetin të cilin po e drejtonte A.F., dhe e kishte njoftuar të njëjtën se e kishte tejkaluar shpejtësinë nga 50km/h ku ishte duke vozitur në 80km/h, dhe se asaj duhet t’i shqiptohet gjobë 300 euro dhe t’i konfiskohet patentë shoferi për 6 muaj.
Sipas aktakuzës, e dëmtuara njofton zyrtarin policor se jeton jashtë vendit- në Zvicër dhe kërkon nga zyrtari policor mos t’ia marrë patentë shoferin, ku i njëjti e drejton të dëmtuarën të shkojë tek kolegu i tij, i pandehuri Mati i cili ishte në veturën e policisë.
Në aktakuzë thuhet se e dëmtuara kur afrohet tek automjeti i policisë, i pandehuri Mati ia kërkon 300 euro, teksa e njëjta ishte përgjigjur se 300 euro nuk i ka por vetëm 100. Ai ishte pajtuar me këtë shumë të të hollave dhe e udhëzon që këto të holla t’i fut në librezë dhe mos ta vërejë askush.
Gjthnjë sipas aktakuzës, e dëmtuara shkon në veturën e saj, i merr 105 euro dhe i vendos në librezë, më pas ia jep të pandehurit Mati, ndërsa pasi ai i pranon këto të holla, ia kthen librezën duke mos i dhënë asnjë dëshmi-dokument, për këtë lloj pagese.
Për këtë, i akuzuari Mati ngarkohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, par 1. të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi/