Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq është shprehur mosbesues ndaj nismës “Ballkani i hapur”, por edhe ndaj presidentit serb, Aleksandër Vuçiq dhe qëllimeve të tij për rajonin.
Gjukanoviqi e ka cilësuar nismën, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria, si një përpjekje për të shkatërruar sovranitetin e vendeve fqinje.
“Ata po përpiqen të realizojnë projektin e tyre nacionalist që më pas ta kamuflojnë shkatërrimin e tyre me një lloj historie për bashkëpunimin rajonal, të cilin fjalë për fjalë e përkufizojnë si ‘Ballkani i Hapur’. Jo, kjo nuk funksionon për ne. Ne nuk mund ta pranojmë një naivitet të tillë, por duhet të shohim se çfarë fshihet pas tij. Pas kësaj shohim një përpjekje për të shkatërruar sovranitetin e vendeve fqinje dhe për këtë arsye e themi shumë qartë se një nga autorët e kësaj nisme nuk ka asnjë kredibilitet për të na ftuar t’i bashkohemi kësaj nisme”, ka thënë ai.
Mali i Zi, Kosova dhe Bosnje Hercegovina nuk i janë bashkuar nismës ‘Ballkani i hapur’, pasi e shohin atë si rrezik për sovranitetin.