Edhe aktivistja nga Shqipëria, Gresa Hasa, ka bërë disa shkrime qortuese ndaj analistit televiziv Rron Gjinovci pas komenteve seksiste të këtij të fundit.
Hasa – që në të kaluarën ka mbështetur Gjinovcin në aktivitete të ndryshme – kësaj here i ka dalë kundër duke e cilësuar komentin e tij ndaj juristes së medias Flutura Kusarit si “seksist e bullizues”.
“Hapësira publike në Kosovë dhe po aq në Shqipëri është intimiduese dhe jo rrallëherë e rrezikshme për gratë. Komentet seksiste e gjuha bullizuese, veçanërisht kur vijnë nga aktivistët shkaktojnë dëm të shumëfishtë. Poshtërimi i grave nuk është “shaka” dhe as “keqkuptim”. Poshtërimi i grave është mizogjini e pastër.” – ka thënë znj. Hasa në njërin status.
Ajo ka bërë edhe status tjetër duke shpërndarë atë të Gjinovcit ku e arsyeton veten, madje duke përmendur edhe pjesëmarrjen e tij në protesta feministe.
“Ndër të tjera, pjesëmarrja në protesta feministe, të qëndruarit në solidaritet me gratë dhe ngritja e zërit së bashku me to kundër ngacmuesve seksualë është DETYRË shoqërore dhe morale. Ajo nuk është sakrificë dhe as meritë e veçantë.” – theksoi ajo.