Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka reaguar pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se i beson Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut për çështjen e gjuhës shqipe.
Rama ka bërë me dije se se gjuha shqipe nuk është një çështje e gjykatës Kushtetuese, duke thumbuar kështu Kurtin për deklaratën e dhënë.
“Tani këtu si me dorë futet edhe tema e gjuhës shqipe, e cila në momentin që sot flasim është në një kontest të pa kuptueshëm dhe të pashpjegueshëm për mua në Gjykatën Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut. Unë nuk them që udhëheqësit që besojnë në Gjykatat Kushtetuese të vendeve tjera e kanë gabim, por unë mendoj se çka shqipja ka fituar si të drejtë qytetarie në Maqedoninë e Veriut, nuk është një çështje e Gjykatës Kushtetuese, nuk është një çështje e ligjeve, nuk është një çështje e vullneteve të përkohshme të partive politike”, ka thënë ai.
“Them të përkohshme sepse partitë politike zgjidhen një herë në katër vjet dhe herë janë në një anë e herë në anën tjetër, herë kanë shumë gjera në dorë e herë nuk kanë asgjë në dorë, por gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut është një çështje e materies që ka ndihmuar jo vetëm ta mbaj bashkë Maqedoninë e Veriut, por edhe të ushqej një frymë dhe një mënyrë të të parit të bashkëjetesës në mes dy popujve shtetformues të Maqedonisë së Veriut, maqedonasve dhe shqiptarëve”, ka thënë Rama.