Sekretari i PDK, Betim Gjoshi, ka reaguar pas këngës që e këndoi Edona Llalloshi, duke e cilësuar si shfrytëzim të historisë dhe simbolikës kombëtare nga Lëvizja Vetëvendosje në funksion të fushatës politike.
Në një reagim publik, Gjoshi thotë se fillimisht nuk e kishte marrë seriozisht përdorimin e këngëve për heronjtë kombëtarë në videot e publikuara në TikTok nga Vetëvendosje, ku shfaqet kryeministri Albin Kurti. Sipas tij, këto i kishte konsideruar si tentativa për t’i bërë videot më të shikueshme, por jo si pjesë të një strategjie më të thellë.
Megjithatë, Gjoshi thekson se bindja e tij ka ndryshuar pas një paraqitjeje të këngëtares Edona Llaloshi, e cila, sipas tij, në prani të Kurtit ka shfaqur një formë të re propagande që synon të ndërtojë figura politike përmes përvetësimit të historisë së të tjerëve.
Ai e quan “të papranueshme” përdorimin e këngës për Çun Mulën, figurë që, sipas Gjoshit, u bë simbol pa skenë, pa mikrofon dhe pa mbështetje institucionale, duke ia atribuar atë kryeministrit Kurti.
“Kjo është dëshmi e një boshllëku të madh historik e kombëtar”, shkruan Gjoshi, duke e akuzuar Kurtin për mungesë të kontributit real historik dhe për qëndrime të kundërta ndër vite, nga deklaratat pacifiste deri te veprimet e dhunshme politike në Kuvend dhe sheshe.
Sipas tij, uzurpimi i institucioneve sot po shoqërohet edhe me uzurpim të simbolikës kombëtare, përfshirë këngët e heronjve.
“Populli gjithmonë u ka kënduar heronjve të vet, edhe në kohët më të errëta. Sot, kjo po bëhet përmes imponimit politik dhe fushatave të orkestruara”, përfundon Gjoshi.
Reagimi i plotë:
Kur nuk ke histori për t’u kënduar, fillon t’i vjedhësh këngët e historisë…
Nuk e kam marrë me shumë seriozitet propagandën e Vetëvendosjes në Tik-Tok ku mbi videot e Kurtit hidhen refrene këngësh për heronjtë tanë.
Kam menduar se kjo bëhet thjesht sa për ta bërë videon “të shikueshme”, por kurrë s’e kisha menduar se prapa kësaj fushate propaganduese qëndron ideja për ta ndërtuar një figurë që s’është dhe që ka nevojë të vjedhë historinë e të tjerëve.
S’e kisha menduar derisa para Kurtit u shfaq këngëtarja e partisë, Edona Llaloshi dhe në prezencë të tij, e shfaqi marrëzinë, fushën e re ku “luan” partia, në themel të së cilës po qëndron “agimbahtirizmi”.
T’ia vjedhësh këngën Çun Mulës, një figure që u bë simbol pa skenë, pa mikrofon, pa xhipat e zi dhe t’ia ngjitësh emrin Albin Kurti është dëshmi e një boshllëku të madh historik e kombëtar te dikush që me Serbinë luante paqësorin (“Unë nuk do ta kapja kurrë një armë në dorë”) në politikanin e dhunshëm që kallte Kuvendin e sheshet duke ia ndalë rritën shtetit të ri të Kosovës.
Sigurisht se për uzurpatorin e institucioneve nuk është problem uzurpimi i këngë së Çun Mulës, sepse ai nuk ka histori.
Populli çdo herë i ka kënduar këngën heronjëve të vet, madje edhe në kohët më të errëta.
E sot? Duhet ta bësh një këngëtare kandidate për deputete që t’ia vjedhë këngën një heroi që nuk e porositi këngën kurrë dhe t’ia mveshë dikujt që dëshiron me zor të bëhet e ta bëjnë ai që s’është, që s’ishte kurrë dhe që s’do të bëhet kurrë.






